Kur kanë mbetur pak më shumë se dy javë deri në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të vendeve të Këshillit e Evropës, zyrtarë qeveritarë kanë vazhduar lobimin te vendet anëtare për të siguruar mbështetje. Nga ana tjetër, zyrtarët serbë janë duke tentuar ta pengojnë finalizimin e procesit, megjithëse e pranojnë se do të jetë vështirë. E, njohës të zhvillimeve thonë se pengesë mund të shfaqet mosprocedimi i draftstatutit të Asociacionit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese
Zyrtarë të Qeverisë janë duke vazhduar me fushatën lobuese në shtetet evropiane, në pritje të përfshirjes së anëtarësimit të Kosovës në agjendën e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës në maj.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, po merr pjesë në takimin joformal të ministrave të BE-së përgjegjës për çështje të përgjithshme në Bruksel. Mes të tjerash, në komunikatën e MPJD-së përmendet edhe lobimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Ministrja Gërvalla do të realizojë edhe takime bilaterale me ministra të Jashtëm dhe të Çështjeve të BE-së për të diskutuar rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, në veçanti rreth procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, shkruan në komunikatën e MPJD-së.
Në Qeverinë e Kosovës nuk kanë dhënë sinjale se do ta përmbushin kërkesën që së fundi e përmendën dy prej shteteve më të mëdha në Këshillin e Evropës, Franca e Gjermania, e që është procedimi i draft-statutit të Asociacionit për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, një ditë më herët e përjashtoi mundësinë që pushteti ta procedojë draftstatutin në Kushtetuese.
Ndërkohë Serbia është duke bërë përpjekjet e fundit për ta pamundësuar finalizimin e këtij procesi.
“Ne po luftojmë, fuqitë e mëdha po luftojnë kundër nesh, ne do të vazhdojmë të luftojmë. Gjërat janë shumë ngushtë, sepse nevojitet shumica e 31 vendeve anëtare dhe besoj se Kosova do të ketë ndërmjet 29 dhe 33 vota. Ne e dimë se do të humbim në finale, por e dimë edhe se e kemi mbrojtur reputacionin e Serbisë, sepse më shumë se njëqind vende kanë treguar respekt për vendin tonë”, ka deklaruar Vuçiq.
E zyrtarë serbë, si ministri i Jashtëm Ivica Daçiq, kanë transmetuar edhe qëndrimet e vendeve të tjera, duke thënë për Francën se ajo kërkon që drafti jo vetëm të procedohet, por edhe të pritet përgjigjja e Gjykatës Kushtetuese.
Por njohës të zhvillimeve thonë se Serbia nuk do të mund ta pengojë anëtarësimin dhe se kurorëzimi i procesit varet nga shtetet e fuqishme.
“Tre krerët kryesorë shtetërorë kanë firmosur një letër të përbashkët që zotohen se do ta zbatojnë Marrëveshjen bazike dhe do ta themelojnë Asociacionin. Do të shihet nëse Kurti është i gatshëm ta dërgojë draftstatutin evropian në Gjykatën Kushtetuese. Nga deklaratat që po bëjnë eksponentët politikë të pushtetit shihet që nuk ka shenja që ky draftstatut të dërgohet në Kushtetuese. Serbia është e pafuqishme ta ndalë anëtarësimin e Kosovës në KiE nëse do Gjermania dhe Franca”, ka thënë Belgzim Kamberi nga instituti “Musine Kokalari”.
Sipas tij, nuk është e pamundur që kryeministri Albin Kurti të mos e dërgojë draftstatutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.
Kamberi ka deklaruar se nëse qeveritë gjermane dhe franceze nuk kanë gatishmëri për ta shtyrë anëtarësimin e Kosovës në KiE, është e qartë që ai vendim nuk mund të kalojë në Këshillin e Ministrave.
“Gjithmonë kanë qenë procese të kushtëzuara politikisht. Këtu kemi të bëjmë me zbatimin e planit franko-gjerman. Prandaj, në Berlin dhe Paris është shumë e rëndësishme që ky plan të mos dështojë. Këto dy qeveri siç shihet nuk po e pyesin fort as Beogradin zyrtar, por po i bëjnë edhe presion Kosovës që të shprehë gatishmërinë që është e interesuar për të zbatuar planin”, ka thënë ai.
Pasi Kosova e kaloi me sukses votimin në Asamblenë Parlamentare, kryeministri Albin Kurti ishte pyetur nëse është i gatshëm të rrezikojë anëtarësimin në Këshill të Evropës, nëse çmimi është lëvizja drejt themelimit të Asociacionit. Ai tha se “nuk bën hapa që e rrezikojnë sovranitetin, integritetin territorial, kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Kosovës”.
Duke folur për kërkesat e shteteve të QUINT-it, Kurti pati deklaruar se vendet që e kanë njohur Kosovën si shtet nuk bën që të mbajnë qëndrim më poshtë se deputetja greke Dora Bakoyannis.
Raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, Bakoyannis, Kosovës ia përshkruan Asociacionin si obligim pas anëtarësimit.
Pas kalimit të votimit në Asamblenë Parlamentare, tani çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës. Mbledhja e radhës e ministrave pritet të mbahet nga mesi i majit.