Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Asociacioni i Komunave vendos për protestë para Qeverisë

asociacioni

Ka nxitur përplasje në distancë vendimi i Këshillit të Kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës, për të protestuar para Qeverisë më 1 shtator. Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, e ka akuzuar Qeverinë Kurti për “qasje totalitare” ndaj pushtetit lokal. E kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka thënë se Rama ka tendencë për të luajtur rolin e liderit opozitar karshi Qeverisë

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka njoftuar se në takimin e Këshillit të Kryetarëve është vendosur që më 1 shtator të protestohet para ndërtesës së Qeverisë.

Përmes një njoftimi në Facebook, ky asociacion ka bërë të ditur se përmes protestës do të kërkohet mbrojtja e buxheteve, pronës dhe kompetencave komunale, kompensimi i obligimeve që burojnë nga kontratat kolektive, zbatimi i normës së përvojës së punës prej 0.5 për qind nga buxheti i nivelit qendror, kompensimin e dëmeve nga vërshimet, financim të drejtë për komunat dhe ndalimin e, siç është thënë, ndërhyrjeve të nivelin qendror në autonominë lokale.

“Sot, në takimin e Këshillit të Kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës, u vendos që më 1 shtator 2026, në orën 11:00, të organizohet protestë në sheshin ‘Skënderbeu’, përballë ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Tutje në deklaratë thuhet se “protesta do të jetë paqësore, institucionale dhe jopartiake, në mbrojtje të interesave të Komunave dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Asociacioni dominohet nga kryetarë komunash që u përkasin subjekteve politike të cilat në nivel qendror janë në opozitë. Ai udhëhiqet nga Agim Aliu, kryetar i Ferizajt, i cili i takon PDK-së.
Protestës i ka dhënë mbështetje kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka fituar garën si kandidat i LDK-së. Në një postim në Facebook e ka akuzuar Qeverinë Kurti për “qasje totalitare” ndaj pushtetit lokal.

Edhe Peci i reagon Ramës: Jo në emrin tim dhe të Mitrovicës Arbëri Peci i reagon Ramës: Jo në emrin tim dhe të Mitrovicës

“Jemi mbledhur bashkë, kryetarët e komunave të Kosovës, kundër shkeljes së vazhdueshme të ligjit dhe qasjes totalitare të Qeverisë Kurti ndaj pushtetit lokal. Paralajmërimi gjatë fushatës zgjedhore lokale se ‘nuk do t’u japim buxhet komunave që nuk qeverisen nga Vetëvendosje’, sot po materializohet në një praktikë të rrezikshme: bllokim të mjeteve, pengim të projekteve dhe ndëshkim financiar të komunave që nuk kontrollohen nga pushteti”, ka shkruar Rama. “Mbi 344 milionë euro u janë marrë komunave që nga viti 2022 për obligime që nuk i kanë krijuar vetë”.

Sipas tij, po bllokohen mjete dhe po pengohen investime që u takojnë qytetarëve, e po ashtu po tentohet që pushteti lokal të nënshtrohet përmes presionit financiar dhe politik.

“Komunat nuk janë të kryetarëve! Komunat janë të qytetarëve! Kur Qeveria bllokon një komunë vetëm sepse nuk e qeveris Vetëvendosje, nuk po lufton një kryetar. Po ia mohon qytetarit një rrugë, një çerdhe, një shkollë apo një shërbim vetëm për shkak të mënyrës se si ai ka votuar”, ka shkruar Rama. “Kjo qasje primitive, përveçse është diskriminuese, është e rrezikshme për demokracinë. Nuk mundesh me i nda qytetarët në ‘me neve’ dhe ‘me ata’ dhe me vendos me blloku paranë publike sipas hartës elektorale!”.

Lëvizja Vetëvendosje qeveris në shtatë komuna. Pas njoftimit për protestë, disa nga ta kanë reaguar.
Faton Peci, i cili e drejton Mitrovicën e Jugut, i ka reaguar Ramës.

“JO në emrin tim dhe të Mitrovicës, Përparim! E kuptoj tendencën tënde për të luajtur rolin e liderit opozitar karshi Qeverisë, por nuk kam mirëkuptim karshi tendencës të flasësh në emër të të gjithë kryetarëve të komunave, e aq më pak të Mitrovicës”, ka shkruar në kundërpërgjigje Peci. “Nëse diçka e dëmton interesin publik dhe qytetar, si dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, është tendenca e krisur që disa komuna t’ia bëjnë opozitën Qeverisë”.

Edhe Rama akuzon Qeverinë për favorizim të komunave që udhëhiqen nga VV-ja Arbëri Rama akuzon Qeverinë për favorizim të komunave që udhëhiqen nga VV-ja

Peci ka theksuar për dëmet që u shkaktohen komunave nga vendime gjyqësore që lidhen me Kontratën Kolektive, përgjegjësia duhet kërkuar diku tjetër. Sipas tij, fajtore janë partitë që u përkasin kryetarët të cilët e kanë thirrur protestën, meqë gjatë qeverive të mëparshme është nënshkruar dokumenti, ndërsa u është gjuajtur komunave përgjegjësia për t’i mbuluar shpenzimet që rrjedhin nga kontrata.

“Ata që i paskan shkaktuar 334 milionë euro dëm (nëse po flisni për kontratën kolektive) i ke në tavolinë, po ti s’e di kontekstin institucional dhe politik në vend, dhe për këtë dëm prej qindra milionë eurosh askush nuk është ftuar as në intervistim, as për të dhënë shpjegim”, ka shkruar Peci.