Arbëri

Asnjëri prej liderëve shtetërorë nuk ishte në ceremoninë e betimit të Trumpit

Pjesë e ceremonisë së inaugurimit të Donald Trumpit, si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, nuk ishin edhe tre liderët kryesorë të Kosovës. Presidentja, e cila para disa ditësh ka refuzuar të tregojë nëse do të jetë pjesë e ceremonisë, të hënën njoftoi për takimet e zhvilluara në Prishtinë me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar dhe atë të Turqisë

Asnjëri prej liderëve kryesorë të shtetit të Kosovës nuk morën pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të 47-të të SHBA-së, Donald Trump. Presidenca nuk është përgjigjur në pyetjet e “Kohës” lidhur me këtë çështje. Kur ishte pyetur para disa ditësh, Osmani kishte refuzuar të flasë rreth pjesëmarrjes në ceremoni. 

Ditën kur u zhvillua ceremonia, Presidenca njoftoi se Osmani ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves dhe atë të Turqisë, Sabri Tunç Angili. 
Në takim me Hargreaves, sipas njoftimit të Presidencës, Osmani e ka shtruar nevojën e ngritjes së nivelit të bashkëpunimit strategjik në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si hap drejt përgatitjes së Kosovës për anëtarësim në NATO.

“Diskutimet u fokusuan në bashkëpunimin e ngushtë dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në reformat institucionale dhe promovimin e sundimit të ligjit, ndaj presidentja Osmani falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e deritashme në fushën e mbrojtjes. Më tej, presidentja Osmani shtroi nevojën e ngritjes së nivelit të bashkëpunimit strategjik në këtë fushë, si hap drejt përgatitjes së Kosovës për anëtarësim në NATO”, thuhet në njoftim. 

Pas takimit me zëvendëssekretarin e Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma, para disa ditësh, presidentja Vjosa Osmani paralajmëroi finalizimin e marrëveshjes për Dialog Strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara tek e pati cilësuar këtë si një arritje të jashtëzakonshme. 

Në ceremoninë e inaugurimit të Trumpit nuk ishin as kryeministri Albin Kurti e kryeparlamentari Glauk Konjufca. 

Mbështetur në njoftimet që i vetë i bënë, pjesë e ceremonisë ishte kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj si dhe ai i AKR-së, Behgjet Pacolli. 

Në prag të ceremonisë së inaugurimit, Haradinaj ka pasur një takim edhe me Richard Grenell, i Dërguar i Posaçëm për Misione të Veçanta. 

“Ballkani Perëndimor, përfshirë Kosovën, janë pjesë e angazhimit të ambasadorit Grenell në detyrën e re në administratën e dytë të presidentit Trump. Me këtë rast, ambasadorit Grenell, i rikonfirmova zotimin e Kosovës për rikthimin në marrëdhënie strategjike me SHBA, duke i nënvizuar synimin tonë kryesor, anëtarësimin direkt të Kosovës në NATO!”, ka shkruar Haradinaj.  

Edhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka shkruar se në ceremoni do të marrë pjesë me ftesë të presidentit Donald Trump. 

Për nder të inaugurimit të presidentit të SHBA-ve, Shoqata “Miqtë e Amerikës”, ka organizuar disa aktivitete në Prishtinë. Te shtatorja e presidentit Bill Clinton është zëvendësuar flamuri i mëparshëm me një flamur të ri, si dhe është organizuar një pritje me personalitete të ndryshme. 

“Veprimi jonë ka për qëllim që të dërgoj mesazh që në populli i Kosovës në veçanti populli shqiptar di të respektoj aleatët, di të respektoj SHBA-në, dimë të vlerësojmë veprimet e bëra jo vetëm gjatë kohës se fundit, por gjatë historisë që kanë bërë për Kosovën e Shqipërinë… Shpresoj që presidenti Trump do ta vazhdojë politikën e gjithë atyre presidentëve të SHBA-së, pavarësisht nëse kanë qenë demokrat apo republikan, pro interesave të popullit shqiptar”, ka thënë kryetari i kësaj shoqate, Agim Rexhepi. 

E në fshatin Bibaj në Ferizaj, disa nxënës kanë marshuar përgjatë rrugës dhe në oborrin e shkollës “Muharrem Shemsedini”  janë vendosur 47 flamuj të Shteteve të Bashkuara.