Arbëri

Asnjë seancë për sulmin gjatë protestës kundër barrikadës mbi lumin Ibër

Për sulmin ndaj EULEX-it, KFOR-it e UNMIK-ut, që pretendohet që është kryer para 10 vjetësh në një protestë të dhunshme në urën mbi lumin Ibër dhe te palestra e sporteve “Minatori”, deri tani nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore, ndonëse aktakuza është ngritur qysh më 2016. Nga Gjykata e Mitrovicës që e ka këtë lëndë kanë thënë se synojnë ta nisin gjykimin brenda një afati të arsyeshëm

Tash e një dekadë, prej kur u protestua dhunshëm në kundërshtim të barrikadës mbi lumin Ibër, nuk ka nisur gjykimi lidhur me 21 të akuzuar për rrezikim të personave në mbrojtje ndërkombëtare.

Në protestën e mbajtur më 22 qershor 2014, nga pjesa e Mitrovicës së Jugut u hodhën gurë në drejtim të Policisë së Kosovës, si dhe trupave të KFOR-it, EULEX-it e UNMIK-ut e edhe u dogjën vetura të Policisë e EULEX-it.

Aktakuzën për këtë rast e pati ngritur më 15 nëntor 2016 Prokuroria Themelore e Mitrovicës dhe mban nënshkrimin e prokurorit Ismet Ujkani, tash kryeprokuror i Mitrovicës.
Gjykata Themelore në Mitrovicë sivjet e dërgoi rastin që nuk e gjykoi për shumë vjet në Gjykatën Themelore në Prishtinë – duke u bazuar në atë se kjo vepër penale i takon kompetencës lëndore të Departamentit Special.

Megjithatë, Prishtina ia ktheu këtë lëndë mbrapsht Mitrovicës, meqë aktakuzën e ka ngritur Prokuroria Themelore e Mitrovicës e jo Prokuroria Speciale.

“Deri më tani kjo lëndë nuk është caktuar pasi që, siç e dini, është dërguar në kompetencë të Departamentit Special në Gjykatën Themelore Prishtinë dhe është kthyer prapa në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. Pritet të caktohet brenda një afati të arsyeshëm duke pasur parasysh ngarkesën e gjyqtarit Avni Mehmeti (kryetar i trupit gjykues në këtë rast) me lëndë të tjera dhe të Gjykatës Themelore  në Mitrovicë në tërësi”, ka thënë Hateme Haxhaj-Haziri, udhëheqëse e Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media në Gjykatën e Mitrovicës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, 21 të pandehurit kanë kryer sulm të dhunshëm ndaj personelit që gëzon mbrojtje ndërkombëtare duke hedhur gurë, gjësende të tjera të forta dhe koktej molotovi.

Siç pretendon Prokuroria, ata patën djegur dy vetura të UNMIK-ut, si dhe një të EULEX-it.

“Më datën 22 qershor 2014, rreth orës 16:00 në Mitrovicë, në urën mbi lumin Ibër dhe te palestra e sporteve ‘Minatori’ të pandehurit kanë kryer sulm të dhunshëm mbi personelin nën mbrojtje ndërkombëtare dhe mbi mjetet e transportit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare e atë të personelit të EULEX-it, UNMIK-ut, ushtarëve të KFOR-it, në atë mënyrë që duke gjuajtur mjete të forta, gurë e sende të tjera dhe shishe me koktej molotovi në drejtim të ushtarëve të KFOR-it dhe kanë djegur veturën e tipit ‘Toyota’ dhe automjetin ‘Renault’ të UNMIK-ut dhe automjetin e markës ‘Nissan Pathfinder’ të EULEX-it, pranë së cilës ka qenë polici i EULEX-it, Gordan Vlahoviq”, shkruhet në aktakuzë.

Një pikë e aktit akuzues është për sulm ndaj personave zyrtarë, më saktësisht 13 policëve të Kosovës që pësuan kryesisht lëndime të lehta trupore. Protesta ishte organizuar pas vendosjes së barrikadës nga serbët mbi urën Ibër e që ironikisht ishte quajtur “Parku i paqes” .

Nën kërcënim të dhunës, sipas aktakuzës, një ekip televiziv ishte detyruar t’ia jepte kasetën që përmbante pamjet njërit prej të akuzuarve e i cili më pas e shkatërroi kasetën.

Për këtë prokuroria e Mitrovicës e akuzon të pandehurin Sh.B. për pengim të të provuarit apo procedurës zyrtare dhe asgjësim apo dëmtim të pasurisë.
Edhe dita kur u vendos kjo barrikadë u përcoll me protesta, ku kërkohej heqja e barrikadës dhe lirimi i urës për lëvizje me automjete.

Barrikada u largua vetëm më 2016.

Ura që shihet si simbol i ndarjes dhe lidhjes së Mitrovicës as sot nuk është e hapur për qarkullim të plotë. Mund të kalohet vetëm këmbë, ndonëse ka një marrëveshje nga viti 2015, për lëshim të urës për qarkullim edhe të automjeteve.

Për mosgjykimin e rasteve që kanë mbetur për vite të tëra pa u gjykuar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ka pasur dilemë që nga hyrja në fuqi e Ligjit për gjykata, nëse ato duhet t’i lihen për trajtim apo t’i delegohen Themelores në Prishtinë.  
Arsye të tjera që janë përmendur janë krizat në të cilat ka kaluar gjykata, fillimisht me procesin e zbatimit të marrëveshjes e gjyqësorit që nuk përfundoi deri më 2017, me hyrjen e gjyqtarëve serbë në sistem të Kosovës, ngadalësimin e gjykimeve dhe pamundësinë e gjykimeve me shumë të akuzuar si pasojë e masave të pandemisë COVID-19 gjatë viteve 2020 e 2021. E pas vitit 2022, problemi u rrit pas dorëheqjes se gjyqtarëve e prokurorëve serbë.

Në këtë gjykatë e kanë përmendur po ashtu faktin që tash janë vetëm katër gjyqtarë për lëndët e krimeve të rënda, ashtu që një merret me procedurë paraprake dhe tre të tjerë hyjnë në përbërje të trupit gjykues në secilën seancë të krimeve të rënda.

Në këtë gjykatë megjithatë thanë se trendët i kanë pozitivë meqë vitin 2023 e kanë përmbyllur me më shumë lëndë të përfunduara sesa në vitin 2022.