Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka kryer punën e tij dhe sipas njoftimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, asnjë nga kandidatët për deputetë nuk ka probleme me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Në zgjedhjet e 9 shkurtit do të kandidojnë gjithsej 1.280 kandidatë nga 28 subjekte politike
Asnjë nga kandidatët për deputetë, që i është rrekur garës për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit, nuk ka rënë në filtrin e Këshillit Gjyqësor.
Sipas zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, të 1 mijë e 280 kandidatët nuk kanë probleme që i liston Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme.
“Në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndër të tjera parashihet se nuk mund të certifikohet si kandidat një person, i cili është dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv, andaj kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të bëjë verifikimin në raport me këtë kufizim ligjor. Përgjigjja që kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës është se asnjëri nga 1 mijë e 280 kandidatët e 28 subjekteve politike nuk bie ndesh me këtë pjesë të ligjit”, ka thënë Elezi.
Ai ka treguar se deri më tash KQZ-ja ka certifikuar 11 parti politike dhe 606 kandidatë për deputetë.
Për ta përfunduar këtë proces janë në pritje edhe 17 subjekte politike e 674 kandidatë.
Për këtë Elezi tha se shumë shpejt do të dalin me rekomandime.
“Për pjesën e mbetur të subjekteve politike dhe kandidatëve janë duke u shqyrtuar të gjitha aplikimet edhe në raport me aspektet e tjera të ligjit dhe shumë shpejt do të përgatiten rekomandimet, të cilat do të prezantohen në mbledhjen e KQZ-së”, ka thënë ai.
Ditë më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se do të bashkëpunojë me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Jashtme sa i përket certifikimit të kandidatëve për deputetë.
Raporti: Florinda Abazi