Arbëri

Asnjë koment nga institucionet e OJQ-të mbi shtrenjtimin e propozuar të rrymës

Asnjë nga institucionet, organizatat qeveritare dhe ndërmarrjet që operojnë në fushën e energjisë elektrike nuk ka dorëzuar ende komente në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë rreth propozimit për rritjen e çmimit të rrymës prej 15 për qind. Për ta bërë këtë, ato i kanë edhe dy ditë kohë deri në përmbylljen e afatit për komente. Në ZRRE kanë thënë se komente deri më tani kanë pranuar vetëm nga konsumatorët

Vetëm edhe dy ditë kanë afat palët që të dorëzojnë komente në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) lidhur me procesin e shqyrtimit të tarifave, nëpërmjet të cilit është propozuar shtrenjtimi i rrymës për 15 për qind.

Por, sipas kësaj zyre, deri më tani janë pranuar vetëm disa komente nga konsumatorët, porse asnjë nga institucionet dhe organizatat joqeveritare (OJQ).

“Deri më tani, ne nuk kemi pranuar komente zyrtare nga institucionet shtetërore, organizatat joqeveritare dhe as nga ndërmarrjet e licencuara që operojnë në fushën e energjisë elektrike. Megjithatë, kemi marrë një numër të konsiderueshëm reagimesh nga konsumatorët, të cilët kanë shprehur shqetësime dhe kundërshtime ndaj mundësisë së rritjes së tarifave të energjisë elektrike”, është bërë e ditur në përgjigjen e ZRRE-së.

KOHA ka kërkuar një përgjigje nga Presidenca dhe nga Qeveria nëse do t’i dërgojnë komentet e tyre për këtë proces, porse nuk ka marrë përgjigje. Burime brenda Presidencës kanë thënë se janë duke bërë përgatitje për t’i adresuar komentet lidhur me çështjen. 

E në grupin “Asnjë cent më shumë” kanë kërkuar nga Qeveria që ta alokojë një fond, ashtu siç ka bërë në vitin 2022 për të shmangur rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Më 2022, Qeveria pati zotuar mjete në vlerë prej 75 milionë eurosh nga fond i Bashkimit Evropian (BE), për përballje me krizën energjetike, të cilën asokohe e pati shkaktuar lufta në Ukrainë.
Komente në atë kohë ka dorëzuar edhe Presidenca.

Sivjet, koment ka thënë se do të dorëzojë në ZRRE ekonomisti Shenoll Muharremi. Ai e ka quajtur të domosdoshëm subvencionimin në mënyrë që të mos ketë pasoja të rënda për fuqinë blerëse dhe për aktivitetin ekonomik të bizneseve vendore.

“Pas rishikimit të të hyrave të lejuara për KOSTT-in dhe KEDS-in, ndërkohë që të hyrat e KESCO-s mbeten të pandryshuara, dhe pas arritjes së një zgjidhjeje me Qeverinë e Kosovës për subvencionimin e shumës prej 72 milionë euro, ZRRE-ja nuk ka nevojë të propozojë rritje të tarifave për vitin 2025. Ky subvencion nga qeveria nuk duhet të reflektohet në faturat e konsumatorëve, por të jetë përkrahje direkte që krijon një mekanizëm mbështetës në formë ‘by-pass’-i, i cili siguron që tarifat të mbeten të qëndrueshme dhe që një valë e re inflacioni të mos provokohet nga vendimet e ZRRE-së. Kjo do të ndihmonte në ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe të fuqisë blerëse të qytetarëve”, ka thënë ai.

Në argumentet e tij, Muharremi ka përmendur se si arsye kryesore e rritjes së tarifave është gjendja në Korporatën Energjetike (KEK).

“Sipas raporteve konsultative, një ndër arsyet kryesore pse po propozohet rritja e tarifave të energjisë lidhet me kapacitetet dhe stabilitetin gjenerues të KEK-ut, sidomos gjatë tremujorit të fundit të vitit, kur rritet nevoja për import nga jashtë, ku çmimet janë rreth pesë herë më të larta. Po ashtu, faktorë shtesë janë investimet në sektor, përfshirë iniciativën për krijimin e rezervave energjetike në kuadër të shërbimeve ndihmëse. Ekuilibri dhe menaxhimi i këtyre tri proceseve, (a) prodhimi i brendshëm, (b) importi dhe (c) investimet, përbëjnë sfidën qendrore që çon në rritjen e kostos së propozuar”, ka thënë ai.

Muharremi u ka kërkuar qytetarëve që në rast se kanë argumente të tjera t’ia përcjellin, në mënyrë që t’i përfshijë në komentet të cilat ai do t’i dorëzojë në ZRRE.

E në ZRRE kanë thënë se vendimi lidhur me çështjen pritet të merret para 15 prillit. 

Edhe pse tarifat e reja do të hyjnë në fuqi në mënyrë retroaktive nga 1 prilli, vendimi për to pritet të merret pas shqyrtimit të komenteve. 

Është kjo hera e tretë që gjatë Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti ka pasur rritje të çmimit të energjisë. Vitin e shkuar nuk ka pasur rritje, ndërsa rreth 15 për qind u pati rritur çmimi i rrymës në 2023-tën.