11 ditë kanë kaluar që nga vrasja e dy nxënësve dhe shoferit të një autobusi në Gllogjan si dhe plagosjes së një nxënësi tjetër.
Që nga ajo ditë ende nuk ka as të dyshuar për këtë vrasje, ndonëse në vazhdimësi është thënë se janë disa pista të hetimi dhe se janë duke pranuar sasi të madhe të informacionit.
Ndonëse nga Prokuroria nuk ka pasur ndonjë njoftim apo konferencë lidhur me rastin. Për këtë kanë folur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe kryeministri Albin Kurti.
“Sasia e informacionit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit është duke u shtuar, meqenëse hetuesit më të mirë tanë janë të përfshirë atje. Mirëpo kur të kenë diçka konkrete sa i përket të pandehurit ose të pandehurve që e kryen këtë vrasje të trefishtë mizore, ne natyrisht që do t’iu njoftojmë me kohë”, ka thënë Kurti të hënën.
E për deklaratat e tilla, Ehat Miftaraj i IKD-së ka thënë se nuk është detyrë e kryeministrit e as ministrit të flasin si të ishin policë, prokurorë apo gjykatës.
Ai në një përgjigje për Kohën ka thënë se në raste të tilla është e kuptueshme që politika ka interes për të kërkuar rezultate konkrete, porse nuk është në përgjegjësinë e tyre të bëjnë të tilla deklarime, e aq më pak, sipas tij, të flasin për dëshmi apo informacionin e mbledhur. Kjo sepse sipas Miftarit, kjo pastaj kalon në ndërhyrje dhe ndikim në pavarësinë e institucioneve të pavarura si policia dhe prokuroria.
“Tek veprat penale të vrasjeve si rasti i fundit në Gllogjan, e rëndësisë kritike për të zbardhur raste të tilla dhe gjetur kryesit potencial është reagimi i shpejtë institucional në momentet e para pas kryerjes së veprës penale duke filluar nga ekzaminimi i vendit të kryerjes së veprës penale, marrja e dëshmive dhe provave që mund të përdoren në procedurë penale. Sikurse në këto raste caktohen mekanizma dhe individë të specializuar, me përvojë dhe ekspertizë për tu siguruar se që rasti të trajtohet me efikasitet dhe profesionalizëm”, ka thënë ai.
Derisa Miftari ka spikatur se varësisht se si i kanë zbatuar obligimet dhe përgjegjësitë e tyre institucionet ligj zbatuese mund të vijnë edhe rezultatet në identifikimin, arrestimin dhe gjykimin e kryesve të veprave penale, në këtë rast edhe vrasja në Gllogjan.
“Edhe përkundër faktit së interesi dhe kërkesa e publikut është e madhe për të parë sa më shpejtë rezultatet konkrete në këtë rast, me vetë faktin se kryesi nuk është identifikuar dhe arrestuar menjëherë pas kryerjes së veprës penale mund të nevojitet më shumë kohë për veprime hetimore për ta zbuluar”, ka thënë ai.
Qeveria ka ofruar 20 mijë euro për këdo që çon në zbardhjen e rastit. Ndonëse fillimisht kishte deklarata se sulmi mund të ishte akt terrorist, Policia e Kosovës e ka mohuar këtë gjë duke thënë se nuk ka arsye për të besuar se incidenti ka të bëjë me terrorizëm.
Të premten e kaluar, më 26 nëntor, një autobus i cili po udhëtonte nga Gjakova në Gllogjan u zu në pritë, siç dyshohet nga një person, i cili duke gjuajtur me kallashnikov la të vdekur shoferin e autobusit, dy nxënës të moshave 17 dhe 18-vjeçare dhe një nxënës të plagosur e për të cilin u njoftua se është jashtë rrezikut për jetë. Porse, ende nuk dihet asgjë për motivin e sulmit.