Arbëri

“Asnjë cent më shumë” paralajmëron bllokimin e institucioneve nëse s’reflektohet për çmimin e rrymës

Protesta - Shtrenjtimi i rrymes

Foto: Driton Paçarada

Besnik Shabiu nga grupi protestues “Asnjë cent më shumë” ka thënë se protestat kundër shtrenjtimit të rrymës do të përshkallëzohen dhe do të shkaktojnë bllokada institucionale, nëse nuk reflektohet nga autoritetet për të kthyer prapa vendimin për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Shabiu ka thënë të premten në “Interaktiv” të KTV-së se ky grup protestuesish po pret edhe konstituimin e Kuvendit të Kosovës për të pasur një adresë për ankesë. Ai ka shtuar se presin që deptuetët e rinj të thirrin bordin e Zyrës së Rregullatorit për Energji në raportim dhe që vendimi për shtrenjtim të kthehet prapa si dhe që ky bord të shkarkohet. E nëse këto s’ndodhin, ai ka thënë se përshkallëzimi i paralajmëruar mund të jetë edhe pezullimi i pagesave.

“Ideja e përshkallëzimit nuk nënkupton dëmtim. Por nënkupton bllokim ose paralizim të jetës institucionale, publike, nëse s’ka reflektim. Në këtë rast, është me rëndësi të kemi Kuvend aktiv dhe të kemi komisione aktive. Në momentin që do të jenë aktive, besoj se deputetët s’do të kenë asnjë arsyetim për të mos e thirrur ZRRE-në në raportim. Qytetarët duan adresë më të qartë dhe pas konstituimit, adresat do të jenë më të qarta”, ka thënë ai. “Pas konstituimit të Kuvendit, deputetët nëse s’i marrin parasysh kërkesat e qytetarëve që të thirret ZRRE-ja për raportim e të pezullohet vendimi dhe kërkesa është edhe shkarkimi i tërësishëm i bordit të ZRRE-së. Nëse s’ndodh kjo do të bllokojmë edhe hyrjen e kuvendit dhe të institucioneve të tjera”.

Të shtunën do të jetë protesta e tretë kundër shtrenjtimit të rrymës. Organizatorët kanë paralajmëruar “përshkallëzime” për protestat e ardhshme, ndërsa Shabiu ka thënë se ka kërkesa nga qytetarët që protestat të mbahen edhe në komuna të tjera. Sipas tij, propozim i qytetarëve është edhe pezullimi i pagesave. “Por nëse s’ka mobilizim serioz kjo mund të dështojë. Por jemi të bindur që mobilizimi është si asnjëherë më parë. Dhe nuk ka llogari asnjë operator ekonomik që t’i shkyçë të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.

Shabiu ka thënë se po përgatitet edhe padia, por se për këtë po pritet vetëm publikimi i vendimit të ZRRE-së. Ai ka thënë se në padi do të kërkohet edhe masa e pezullimit të vendimit.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë  gjatë kësaj jave e ka miratuar shtrenjtimin e rrymës prej 16.1 për qind për periudhën 1 maj deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.