Arbëri

Asgjë konkrete rreth riaktulizimit të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës

Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë, duket se nuk është në plan të Ministrisë së Drejtësisë për t’u riaktualizuar, të paktën, jo në një të ardhme të afërt.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, i ka thënë KOHËS se fillimisht duhen bërë analiza dhe vlerësimi i gjendjes aktuale, kësisoj, ka shtuar se edhe koordinimi me institucionet tjera është i domosdoshëm.

“Duhet analiza dhe vlerësimi për gjendjen aktuale. Ky hap do të sillte një pasqyrë reale mbi gjendjen në të cilën ndodhemi”, tha Selimi.

KOHA e ka pyetur ministrin Selimi, se a do ta riaktualizojë këtë institut, porse përgjigja ka qenë se vetëm do të ketë bashkërendim mes institucioneve.

“Ministria e Drejtësisë do të bashkërendojë dhe koordinojë të gjitha veprimet me institucionet relevante të cilat kanë trajtuar dhe do trajtojnë edhe në të ardhmen krimet e luftës. Analizimi dhe shtjellimi i të gjitha provave të mbledhura deri më tani të selektohen, arkivohen dhe në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Arsimit do të dokumentohen dhe publikohen. Koordinimi është i domosdoshëm”, tha tutje Selimi.

Por se si janë paraparë të hetohen krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, Selimi tha vetëm se, “Kosova ka mekanizma të veçantë në prokurori dhe gjykatë për këtë”.

“Tash edhe me ndryshimet legjislative janë rritur mundësitë për të qenë më të fokusuar në ndjekjen dhe gjykimin e kriminelëve të luftës”, tha ministri i Drejtësisë në Qeverinë Hoti.

KOHA pati raportuar për mundësinë e riaktualizimit të këtij instituti edhe gjatë Qeverisë Kurti, kur në krye të Ministrisë së Drejtësisë ishte Albulena Haxhiu. Atëherë ishte krijuar edhe një ekip punues i cili do ta përgatiste analizën për themelimin e institutit që do të hetonte krimet në Kosovë, por me të rënë Qeveria Kurti, asgjë s’u konkretizua.

Instituti për Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ishte mbyllur në vitin 2018, në Qeverinë e drejtuar nga Ramush Haradinaj.

Drejtor i këtij instituti ishte profesori i së Drejtës Penale, Ismet Salihu. Kur ish-ministrja Haxhiu ndërmori hapa rreth kësaj çështjeje, KOHA pati kontaktuar edhe Salihun. Atë kohë ai shprehu bindjen se ishte punuar fare pak rreth hulumtimeve të krimeve të luftës për vite të tëra.

Me qëllim të dokumentimit të krimeve të periudhës së luftës, më 2011, Qeveria e Kosovës kishte themeluar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës (IHKL). Instituti, ishte themeluar 12 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Instituti, ashtu siç kishte thënë Salihu për KOHËN, me gjithë vështirësitë në punë, kishte publikuar libra për vrasjet, personat e pagjetur, për gjenocidin serb, si dhe për shkatërrimin e monumenteve e pronave të shqiptarëve.

Në Kosovë, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, më shumë se 13 mijë e 500 llogaritet të jetë numri i personave të vrarë e të zhdukur gjatë konfliktit të viteve 1998 dhe 1999.