Arbëri

Asfaltimi i rrugës “Isa Kastrati”, qytetarët ankohen për vonesa

Krahas rrugës “Muharrem Fejza”, ka filluar edhe rregullimi i rrugës “Isa Kastrati” e “Sokol Sopi” që është rrugë e përbashkët e të shpien në Matiçan.

Punimet që përfshijnë rinovimin e trotuareve dhe asfaltimin e rrugës kanë filluar më 12 prill dhe është paralajmëruar se do të zgjasin 60 ditë.

Tash kur kanë mbetur edhe 5 ditë pune deri në përfundimin e këtij afati, shihet se ndërrimi i trotuarit në “Sokol Sopi” ka ende shumë punë, përderisa në pjesën e rrugës “Isa Kastrati” deri tash është bërë vetëm gërryerja e asfaltit e asnjë intervenim tjetër.

Qytetarët janë ankuar se punimet po ecin shumë ngadalë, përderisa shpresojnë se nuk do të ketë vonesa siç po ndodh me shumë rrugë ndryshme.

Por të njëjtën nuk e thotë edhe drejtori për Investime Kapitale në Komunën e Prishtinës, Gëzim Mehmeti.

Sipas tij, deri tash janë kryer 80 për qind të punimeve dhe javën tjetër do bëhet asfaltimi.

“80 për qind e punimeve të rrugës “Isa Kastrati” të shtegut të këmbësorëve ka përfunduar. Në fund të javës do të bëhen riparime aty ku ka dëmtime dhe do të bëhet shtresa e parë e asfaltit. Ndërsa javën e ardhshme do të bëhet edhe riasfaltimi i asfaltit. Pra jemi në suaza të planit dinamik. Varësisht nga koha e mbetur dhe me punimet që janë bërë me përqindje është në kuadër të planit dinamik”, tha Mehmeti.

Sipas kontratës, gjatësia e rrugës ku po kryhen punimet është 2.5 kilometra dhe kushton afër 350 mijë euro.