Kryeqyteti

Asamblisti i PDK-së: Plani i Ramës për “Kalabrinë”, thirrje për abuzim e korrupsion

Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës, Granit Geci, ka thënë se plani i kryetarit Përparim Rama për lagjen “Kalabria” që u tentua të futej në rend dite për seancën e sotme të Kuvendit Komunal është thirrje për abuzim e korrupsion.

Edhe në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, plani rregullues për “Kalabrinë” dështoi të futej në rend dite. Më 23 maj, në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa u vendos që të mos hyjë në rend dite plani rregullues për “Kalabrinë”. Opozita po e konsideron problematike koeficientin 7 të propozuar nga Rama për parcelën e Stacionit të Autobusëve.

Asamblisti Geci në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së ka thënë se Rama po mundohet të përfitojë në kurriz të banorëve.

“Koeficienti 7 për parcelën e Stacionit të Autobusëve nënkupton, përshembull, se ndërtimi mund të shkojë deri në 40 kate. Si pronat publike, ashtu edhe ato private, duhet të trajtohen barabartë”, ka thënë ai.

Geci ka thënë se si PDK i kanë kërkuar kryetarit Rama ta realizojë premtimin për banorët e “Kalabrisë”.

“Edhe në qeverisjet paraprake, edhe kjo qeverisje, po dështojnë t’i observojnë kërkesat e banorëve”, ka shtuar ai.

Qytetarë të lagjes “Kalabria” edhe të premten kanë dalë para Komunës për të protestuar për mosfutjen e planit të kësaj lagjeje në rendin e ditës për seancën që u mbajt sot. Nuk është hera e parë që qytetarët shprehin këtë pakënaqësi.

Më 8 maj ishte diskutuar për planin e lagjes dhe banorët kishin hyrë në sallën e mbledhjeve në Asamblenë Komunale të Prishtinës duke kërcënuar se “do ta djegin Kuvendin” nëse nuk kalon në seancën e thirrur për 24 maj plani rregullues për këtë lagje. Në kohën kur banorëve iu ishte premtuar që ky plan do të votohej brenda 3 muajve, koeficienti 2.4 ishte i parealizueshëm.

Rritjen e koeficientit në hapësirë publike siç është Stacioni i Autobusëve, Rama e ka arsyetuar me mundësi të shpronësimeve për projektet madhore sikurse unaza e qytetit.

Në seancën e sotme, kryetari Rama ka thënë se janë të gatshëm që në një seancë tjetër ta fusin në rend dite planin për "Kalabrinë".

Policia ka arrestuar një person që dyshohet për kërcënim ndaj kryetarit të Prishtinës, i cili e ka mohuar të jetë kanosur.