Arbëri

As pas pesë vjetësh, SHSKUK-ja s’arriti ta përditësojë dhe ta reduktojë listën e pritjes

Viti 2024 e gjeti Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare me më se 1 mijë e 700 pacientë që janë në listë të pritjes për intervenimin në venat varikoze. Për këtë shërbim nuk është bërë asnjëherë përditësimi i plotë i listës. Teksa disa nga pacientët treguan se shkaku i pritjeve të gjata janë detyruar që zgjidhje të bëjnë në spitale private, në SHSKUK nuk kanë ofruar sqarime

Klinika e Kirurgjisë Vaskulare prej pesë vjetësh nuk ka arritur ta përditësojë dhe ta reduktojë listën e pacientëve që janë në pritje për t’iu nënshtruar intervenimit të heqjes së venave varikoze.

Në këtë Klinikë thonë se i kanë përfunduar pacientët që ishin në pritje që prej viteve 2019 e 2020, teksa pranojnë se nuk kanë arritur t’i shkojnë në fund listës, as sa i përket kontaktimit të pacientëve, që aktualisht janë rreth 1 mijë e 700.

Hajriz Rudari, drejtor i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, pranon se as për ata që i kanë kontaktuar nuk posedojnë evidenca të sakta.

“I kemi përditësuar, ende nuk kemi mbërri krejt, krejt me i përditësu, se është numër i madh, vetëm se diku gati gjysma, jo gjysmën i kemi përditësu edhe besoj gjatë përditësimit po hasim se një pjesë nuk i ka kry, një pjesë nuk po don me i kry, thjeshtë thonë nuk po më pengojnë dhe po vjen lista duke u reduktu, edhe një pjesë çka kanë hy, tash ka ardhur p.sh. pa e këqyr kirurgu vaskular”, ka thënë Rudari.

E disa nga pacientët, që folën për KOHËN në kushte anonimiteti, treguan se pas më se dy vjetësh pritje, janë detyruar që intervenimin ta kryejnë në spitale private. Ata ankohen se nuk janë kontaktuar fare nga QKUK-ja për caktimin e një termini të saktë.

“Ka dy vjet që jam duke pritur për intervenim në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, por deri tash nuk më kanë thirrur. Në fakt, kur e kam bërë terminin, ata nuk më kanë dhënë një datë të saktë se kur mundem ta bëj intervenimin, veç më kanë thënë duhet të presësh. Pastaj, kur kam ardhur pas tre muajve, meqë nuk kam marrë kurrfarë njoftimi, më kanë thanë që duhesh të vazhdosh të presësh. Je në listë të pritjes, porse datë të saktë se kur mundesh ta kryesh intervenimin nuk ke. Kështu që, kanë kaluar dy vjet dhe ata nuk më kanë thirrur, e unë jam detyruar t’i gjej vetes zgjidhje në privat, meqë shteti nuk ma ka ofruar mundësinë, edhe pse goxha shumë e kushtueshme”, ka thënë një pacient.

Një intervenim i tillë në spitale private sillet nga 700 deri në 1 mijë euro.

E në QKUK, Rudari thotë se në stopimin e kontaktimit të pacientëve ka ndikuar edhe puna me kapacitete të kufizuara që prej nëntorit, shkaku i renovimit të një salle për funksionalizimin e një shërbimi të ri.

“Tash ka pasur me ra nën 3 vjet por jemi në renovim të sallës, sepse hapim një shërbim të ri për endovaskulare, që nuk ka qenë deri tash në Kosovë, dhe ky renovim pak po na hendikepon me reduktu pak programin e venave”, ka thënë Rudari.

Ai thotë se që prej kohës së pandemisë, menaxhmentit të SHSKUK-së i ka dorëzuar një plan veprimi, që përfshin punën 24-orëshe për kryerjen e shërbimit edhe në spitale rajonale. Por në SHSKUK nuk dhanë një afat të caktuar kohor.

“Jemi të njoftuar lidhur me planin e hartuar nga Klinika e Kirurgjisë Vaskulare dhe menaxhmenti i SHSKUK-së do të jap përkrahje të plotë. Pra, ashtu siç ka paraparë Klinika, do të ketë decentralizim të shërbimeve në disa nga spitalet e përgjithshme, përfshirë operacionet e venave, e që do të ndikojë në ulje të listës së pritjes!”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Lista të gjata të pritjes në QKUK ka edhe Klinika e Ortopedisë, në të cilën figurojnë pacientë që nga viti 2019.