Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk respekton radhën kur një institucion bën kërkesë që kompanitë falsifikatore të përfshihen në listën e zezë. Ky institucion në vazhdimësi shqyrton kërkesa për t’i futur në listë të zezë kompanitë e caktuara. Ditë më parë këtë e bëri me disa kompani. Por një kërkesë e Ministrisë së Shëndetësisë, që është bërë prej tashmë tetë muajsh, ende nuk është shqyrtuar
Pa ndonjë radhë të caktuar, Organi Shqyrtues i Prokurimit po e kryen vendimmarrjen për t’i përfshirë apo jo në listë të zezë kompanitë që nuk i kanë kryer siç duhet punët tek institucionet publike apo që i kanë mashtruar ato gjatë ndonjërës prej fazave të prokurimit.
Më 6 dhjetor të vitit të shkuar, spitali “Isa Grezda” i pati kërkuar OSHP-së që në këtë listë ta përfshijë një kompani që ofroi certifikatën e kompanisë prodhuese, që ishte e falsifikuar.
Dy muaj më vonë, fillimshkurtin e 2024-s, OSHP-ja vendosi që spitali i Gjakovës nuk ka ofruar prova të mjaftueshme dhe ia refuzoi kërkesën.
“Refuzohet si e pabazuar në dispozitën ligjore të nenit 99 paragrafi i dytë i Ligjit të Prokurimit Publik kërkesa e Autoritetit Kontraktues – spitali i përgjithshëm “Isa Grezda” – Gjakovë, për diskualifikim nga pjesëmarrja në prokurimin publik të Operatorit Ekonomik, lidhur me aktivitetin e prokurimit: Furnizim me uniforma të gjelbra dhe kllompe për personelin e traktit operativ e iniciuar nga spitali i përgjithshëm “Isa Grezda” – Gjakovë”, thuhet në vendimin e OSHP-së.
Por ndonëse një kërkesë të ngjashme OSHP-ja e pranoi edhe nga Ministria e Shëndetësisë, ajo ende nuk është pranuar. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë shtypi qershorin e shkuar pati deklaruar se një kompani që e ofertoi insulinën pa Autorizim Marketing i pati të falsifikuara të gjitha certifikatat e prezantuara në emër të kompanisë prodhuese.
“Tani po bëhet e qartë pse gjithë kjo rezistencë. Kompania në fjalë nuk kanë dashur të aplikojnë për AM sepse nuk kanë mundur. Sepse nuk kanë pasur lejen nga prodhuesi amerikan. Pyetja që shtrohet këtu është se nga do t’i merrnin insulinat kur nuk kanë pasur leje për t’i marrë ato amerikane? Produkte fallco? Kontrabandë apo çfarë? Kjo duhet kuptuar dhe sqaruar sa më parë”, pati thënë Vitia më 13 qershor 2023.
Pak ditë pas kësaj deklarate, Ministria paraqiti kërkesë që OSHP-ja ta fusë në listën e zezë këtë kompani, për t’ia ndaluar të ofrojë produkte e shërbime në institucionet publike shëndetësore. Por kjo kërkesë as pas tetë muajsh nuk është shqyrtuar.
KOHA i ka dërguar pyetje OSHP-së nëse e ndjek ndonjë radhe për shqyrtimin e kërkesave dhe përse nuk e ka trajtuar ende kërkesën e Ministrisë teksa i ka kryer kërkesat më të reja, porse nuk ka marrë përgjigje prej ditësh.
KOHA ka raportuar në vazhdimësi lidhur me tenderin e insulinave dhe tentativat që të vendoset standard i blerjes së barnave pa garancitë e duhura të cilësisë.