Arbëri

As këtë vit nuk është e sigurt se do të kryhet regjistrimi i popullsisë

Viti 2021 do të duhej ta gjente Kosovën me regjistrim të ri të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, pasi ky proces ndodh çdo 10 vjet.

Por, arsyetimi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe Qeverisë ishte se për shkak të pandemisë COVID-19 procesi është pamundësuar të kryhej.

Më 23 shkurt të këtij viti, në Kuvend, Projektligji për Regjistrimin e Popullsisë ka kaluar në parim.

Në përgjigjen e Kuvendit për KOHËN thuhet se Komisioni për Buxhet të premten në rend dite do ta ketë shqyrtimin e këtij projektligji. ( SHFAQET përgjigja në grafike, por nuk lexohet).

Shefi i Divizionit të Popullsisë në ASK, Avni Kastrati, ka thënë se ka gjasa që ky projekt të mos kryhet gjatë vitit 2022 duke iu referuar faktorëve të jashtëm.

“Në aspektin kohor është shumë e arsyeshme, që minimum 9 muaj përpara të jetë ligji i aprovuar, edhe struktura të tjera. Jo vetëm ASK-ja, niveli qendror komunal edhe tjerët që kanë me u përfshi, krejt këto kërkojnë kohë”, ka deklaruar Avni Kastrati, shef i Divizionit të Popullsisë në ASK.

Rol të rëndësishëm në këtë proces pritet te kenë edhe komunat.

“Komunat kanë me qenë shumë të rëndësishme. Takimin e parë kemi me pas me kryetarë të komunash”, shtoi Kastrati.

E në Asociacionin e Komunave të Kosovës thonë se pa ta ky proces nuk mund të ketë sukses.

“Pa komunat ky proces nuk do të jetë i mirëfilltë dhe shpresojmë që së bashku me ASK-në do ta bëjmë të pamundurën që ky proces të përfundojë me sa më shumë sukses”, u shpreh Sazan Ibrahimi, drejtor Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Procesi i regjistrimit të popullsisë do të angazhojë mbi 5 mijë persona, rekrutimi i tyre në ASK pranohet që do të jetë sfidë.

Ata thanë se metodologjia, por edhe organizimi i procesit do të jetë brenda standardeve.

Ishte viti 2011 kur për herë të fundit Kosova e bëri regjistrimin e popullsisë. Aso kohe rezultonte që në vend të kishte 1 milion e 700 mijë e 739 njerëz.