Arbëri

As BE-ja nuk i përmbushi zotimet e marra në MSA në raport me Kosovën

Kur janë bërë pesë vjet prej kur MSA-ja ka hyrë në fuqi, nuk është Kosova palë e vetme që ka shënuar ngecje në zbatimin e këtij dokumenti. Me këtë dokument, BE-ja ishte zotuar që të ndërmarrë hapa për avancimin e rrugës integruese të Kosovës dhe për afirmimin e saj në skenën ndërkombëtare. Por, Kosova ende nuk ka mundur të aplikojë për të marrë statusin e vendit kandidat; vazhdon të mbetet jashtë shumë mekanizmave ndërkombëtarë; e, qytetarët e saj janë të vetmit që nuk u janë hequr vizat për në Zonën Schengen

Janë bërë pesë vjet prej kur ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, dokument ky që përbën marrëdhënien e parë kontraktuese të Kosovës me Bashkimin Evropian.

Marrëveshja ka njohur pak zbatim, ani se tani ka ikur gjysma e kohës brenda së cilës parashihej që detyrat e marra të përmbusheshin.

Me kapitullin e dytë të MSA-së, mes të tjerash, BE-ja u zotua të ndërmarrë hapa për avancimin e rrugës integruese të Kosovës dhe për afirmimin e saj në skenën ndërkombëtare.

Por, Kosova ende nuk ka mundur të aplikojë për të marrë statusin e vendit kandidat. Shteti vazhdon të mbetet jashtë shumë mekanizmave ndërkombëtarë. E, qytetarët e tij janë të vetmit që nuk u janë hequr vizat për në Zonën Schengen.

Në Zyrën e BE-së në Prishtinë, prej dy ditësh nuk kanë treguar për veprimet e ndërmarra në funksion të jetësimit të qëllimeve të shprehura në kapitullin e dytë të MSA-së.

Por, në shoqërinë civile thonë se BE-ja nuk ka qëndruar duarkryq në këtë kohë dhe, krahas hapjes së perspektives integruese, e ka afirmuar Kosovën edhe në skenën ndërkombëtare.

“Mund të themi se perspektiva evropiane e Kosovës ka avancuar. Pra, ne sot në krahasim me para kohën e MSA-së, kemi marrëdhënie kontraktuese me Bashkimin Evropian. Ne kemi lansuar liberalizimin e vizave dhe jemi në stadin përfundimtar të tij. Po ashtu, Kosova është bërë vend i barabartë në kuadër të programeve të Bashkimit Evropian”, thotë Demush Shasha, drejtor ekzekutiv i Institutit EPIK. “Duhet të njohim faktin se vendet anëtare të BE-së kanë qenë vendet kyç, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë marrë hapa dhe vazhdojnë të marrin hapa për avancimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Tani shumë nga këta hapa, nëse jo të gjithë, mbesin jashtë domenit të njohurive publike, sepse diplomacia e kërkon kështu”.

Instituti EPIK ka qenë të enjten nikoqir i një tryeze virtuale të mbyllur, për të diskutuar zbatimin e MSA-së. Ajo është hapur nga zëvendëskryeministri për Integrim, Besnik Bislimi.

Në kabinetin e kryeministrit nuk kanë krijuar mundësinë për të marrë një pikëpamje nga Bislimi, në lidhje me qasjen që Qeveria e re do ta ketë në raport me MSA-në.

E, Demush Shasha ka shprehur pakënaqësi për rezultatet e mbërritura, prej kur MSA-ja ka hyrë në fuqi.

“Bilanci është zhgënjyes, sepse kanë kaluar pesë vjet dhe ne kemi bërë shumë pak në kuptim të përmbushjes së MSA-së”, thotë ai. “Në këtë drejtim, në qoftë se i shohim raportet që vijnë nga vetë institucionet e Kosovës, çdo vit ka rënie vit pas viti, të nivelit të zbatimit të Programit Kombëtar për zbatimin e MSA-së”.

Kosova dhe BE-ja e kanë firmosur MSA-në më 27 tetor të 2015-s, në Strasburg. Pas procedurave të ratifikimit, marrëveshja hyri në fuqi më 1 prill të 2016-s.