Arbëri

As 100 ditë në pushtet, dialogu bëhet prioritet i Qeverisë Kurti

Që para ardhjes në pushtet, kryeministri Albin Kurti ka thënë se dialogu me Serbinë nuk është prioritet i qeverisë së tij. Mirëpo, njohësit e zhvillimeve politike, pas rritjes së angazhimit të SHBA-së e BE-së, vlerësojnë se zhvendosja e kësaj teme si prioritet është e pashmangshme. Madje, partitë opozitare thonë se kjo veç ka ndodhur. Ato kërkojnë nga Qeveria që ta trajtojë seriozisht këtë proces

Qasja e Kosovës ndaj dialogut me Serbinë përmendet në fund të programit katërvjeçar qeverisës së ekzekutivit të udhëhequr nga Albin Kurti. Kryeministri, edhe para se të vinte në pushtet, kishte thënë se bisedimet me Serbinë nuk janë prioritet i tij.

Por, përderisa ende nuk janë bërë 100 ditët e para të këtij ekzekutivi, janë mbajtur disa aktivitete që lidhen me këtë proces.

Të martën e 15 qershorit, Albin Kurti për herë të parë do të ulet përballë Aleksandar Vuçiqit në Bruksel. E opozita vlerëson se nga fundi i agjendës dialogu tashmë është zhvendosur ndër temat kryesore të Qeverisë.

Por, vëmendja e Kurtit ndaj bisedimeve me Serbinë vlerësohet se do të shtohet dukshëm pas rritjes së presionit ndërkombëtar, sidomos atij amerikan.

Zhvendosja e dialogut si prioritet është e pashmangshme, sipas profesorit të Marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi. Ai ka thënë kjo është konfirmuar edhe në urdhrin e ri ekzekutiv të nënshkruar nga presidenti amerikan, Joe Biden, për Ballkanin Perëndimor, ku konfirmohet angazhimi i SHBA-së për përmbylljen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Qeveria e Kosovës prej interesit të shtatë të dialogut do të zbresë në një, do ta bëjë atë edhe super-prioritet për shkak se ky vendim i Joe Bidenit në njëfarë mënyre e ka futur në një shah-mat Qeverinë e Kosovës, që nuk mund t’i thotë ‘jo’ për asgjë më SHBA-së, sepse çdo ‘jo’ e Qeverisë së Kosovës, pavarësisht çmimit që mund ta paguajmë në dialog në kuptimin se Asociacioni do të jetë në tavolinë, atëherë një ‘jo’ e Qeverisë do të ketë sanksione të tjera”, ka thënë Arifi.

Kryeministri Kurti si prioritete ka renditur shëndetësinë e ekonominë, të goditura nga pandemia, si dhe sektorin e drejtësisë.

Mirëpo, partitë opozitare i bëjnë thirrje Qeverisë që dialogu të trajtohet seriozisht. Muhamet Hamiti, anëtar i Departamentit për Politikë të Jashtme të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), vlerëson se duke mos i dhënë prioritet këtij procesi favorizohet Serbia, e cila, sipas kësaj partie, qëllim kryesor ka zvarritjen e bisedimeve.

“Është e vërtetë që Kurti në kohën kur bënte fushatë thoshte se nuk do të ishte prioritet i kësaj qeverie, por e ka thënë për të fituar vota, tash votat i ka fituar dhe po më duket se po e di edhe ai që është prioritet ta bëjë punën, të mos duket sikur ne jemi të papërgatitur sepse kam përshtypjen Serbia dhe regjimi i Vuçiqit nuk janë të interesuar për zgjidhje”, ka thënë Hamiti.

Ndërsa zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës nuk janë deklaruar gjatë së shtunës për këtë çështje.

Në fundin e muajit maj, krerët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kurtin, u mblodhën për darkën tradicionale të organizuar nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell. Për ta përgatitur takimin Kurti-Vuçiq, në fillim të qershorit, Prishtinën e Beogradin i vizituan emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe përfaqësuesi special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer. Të dy kërkuan kontribut nga palët në arritjen e marrëveshjes përfundimtare.