Arbëri

Artan Grubi në listën e zezë të SHBA-së

Artan Grubi

Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, është futur në listë të zezë nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Departamenti njoftoi se në listë të zezë është përfshirë edhe Enver Bexheti, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Maqedonisë së Veriut.

Ata thuhet se janë të përfshirë në korrupsion, pasi kanë pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore që lidhen me dënimin penal të Sasho Mijallkov, drejtor i Drejtorisë për Siguri në Maqedoni të Veriut.

Për këtë ka reaguar edhe kreu i Aleancës për Shqiptarët nga koalicioni VLEN, Arben Taravari.

“Kam një lajm për ata të Tendës: Artan Grubi sapo u shpall Persona Non Grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, ka shkruar ai në Facebook.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni të Veriut ka thënë se do të vijojë t'i veçojë personat e përfshirë në korrupsion, që minon institucionet demokratike dhe gërryen besimin publik.

“Askush s’është mbi ligjin dhe llogaridhënia është thelbësore për përparimin”, thuhet në reagim.

Grubi: Jam i prekur, do të angazhohem me partnerët për ta zbardhur çështjen

4 muaj më parë / 9 dhj 2024 22:10
Artan Grubi

Artan Grubi, që u fut në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka thënë se e ka prekur vendimi, duke u shprehur se si person publik “ia ka kushtuar jetën mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore”.

Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut ka shkruar në Facebook të hënën se do të angazhohet maksimalisht me miqtë dhe partnerët “për të zbardhur plotësisht këtë çështje”.

“Në mungesë të informacionit të detajuar, u njoha nga mediat për vendimin e sotëm të Departamentit të Shtetit. Si një person që jetën time publike ia kam kushtuar mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore dhe që gjithmonë kam punuar me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Europian, ky vendim më prek drejtpërdrejt dhe personalisht”, ka shkruar Grubi.

Ai theksoi se është i përkushtuar ndaj vlerave demokratike.

“Do të angazhohem me gjithë përkushtimin dhe maksimalisht, së bashku me miqtë dhe partnerët tanë, me të cilët kemi ndarë vizionin dhe punuar ndër vite për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, për të zbardhur plotësisht këtë çështje. Transparenca dhe përkushtimi ndaj vlerave demokratike do të vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e çdo veprimi tim”, ka shtuar Grubi.