Nxënësit e nivelit parauniversitar, më 1 shtator të këtij viti nuk e patën mundësinë të uleshin në bankat shkollore, edhe pse e kishin pritur gjatë rikthimin në shkolla. Kjo, meqë prej marsit, kur zyrtarisht u shënuan rastet e para me Covid-19 në Kosovë, mësimin e zhvilluan nga distanca.
Institucioneve nuk u mjaftuan 5 muaj që të përgatiteshin për vitin e ri shkollor në situatë pandemie. Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) bashkë me komunat nuk arritën t’i siguronin me kohë disa nga masat e rekomanduara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), si dezinfektimi i shkollave, dezinfektuesit për duar e termometrat laserikë për matjen e temperaturës së nxënësve, shkruan KOHA.
Madje një pjesë e shkollave ende janë duke u rinovuar e disa me tualete jofunksionale. Deri në dhjetëditëshin e fundit të gushtit Ministria e Arsimit bashkë me komunat kanë pasur paqartësi se si do të zhvillohet mësimi këtë vit shkollor.
Në Ministrinë e Arsimit thonë se vendimi për shtyrjen e këtij procesi u mor në konsultim me shumë institucione derisa në Asociacionin e komunave vlerësojnë se komunat ishin të gatshme për vitin shkollor dhe se shtyrja e mësimit nuk ishte kërkesë e tyre.
Për shkak të mospërgatitjeve me kohë të institucioneve shkollore, Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK) më 27 gusht kërkoi shtyrjen e vitit shkollor edhe për dy javë. Kërkesa e tyre u aprovua brenda ditës, ku në një takim mes akterëve të arsimit, shëndetësisë, Këshillit të prindërve e Sindikatës u vendos që mësimi të shtyhej për 14 shtator. Megjithatë, edhe me këtë datë nuk është e sigurt nëse nxënësit do të mund t’u kthehen shkollave. Kjo pasi këtë javë Sindikata ka dhënë sinjale se mund të ketë sërish shtyrje nëse shkollat nuk janë të gatshme sipas rekomandimeve të IKSHPK-së.
Dy javë më parë, Ministria e Arsimit e ka hartuar një masterplan për mësimin 2020, i cili shqyrton format dhe mundësitë e organizimit të mësimit në vitin shkollor 2020-2021. Dokumenti prezanton tre skenarë për organizimin e mësimit, sipas kushteve dhe situatave të ndryshme në institucionet e arsimit parauniversitar në Kosovë: mësimi në shkolla, mësimi i kombinuar në shkolla dhe në distancë, si dhe mësimi online dhe në distancë. Ky master-plan është miratuar në mbledhje të Qeverisë.