Arbëri

Arsimi pa shkollë

Vit jo i lehtë për arsimin ka qenë 2020-a. Sikurse në sektorët e tjerë, edhe në arsim, pandemia Covid-19 shkaktoi çrregullime në të gjitha nivelet nga arsimi parashkollor deri tek arsimi i lartë.

Si pasojë e pandemisë, për 6 muaj institucionet arsimore në Kosovë mbeten të mbyllura. Edhe pse institucionet i zuri të papërgatitura, brenda pak javësh u gjet një formë të re për vazhdimin e mësimit.

Ish-ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, paralajmëroi se po bëjnë përpjekje për vazhdimin e mësimit në një formë të papraktikuar më herët. Për herë të parë u mbajt mësim nga distanca dhe mësim online e në këtë formë edhe u përmbyll viti shkollor 2019/2020.

“Nuk është absolutisht e lehtë sepse jemi duke filluar gjithçka prej 0 dhe të gjitha platformat ekzistuese duhet me i selektuar dhe integruar”, kishte thënë ish-ministrja Hykmete Bajrami.

U angazhuan disa mësimdhënës për të ofruar leksione të cilat u incizuan dhe transmetuan në Radiotelevizionin e Kosovës e më vonë edhe në platformën E-mësimi.

Ndërkaq, shkollat e mesme e organizuan mësimin vetëm përmes platformave Google Mett dhe Google Clasroom. Në këtë formë mësimi u organizua edhe në institucionet e arsimit të lartë.

Viti shkollor 2019/2020 për nivelin parauniversitar u përmbyll vetëm nga shtëpia.

Pas 3 muajsh mbyllje, të parat që u rihapën ishin institucionet parashkollore. Paraprakisht u hartua një udhëzues i cili i përcaktonte rregullat që duhej të zbatoheshin si përdorimi i maskave, ruajtja e higjienës etj.

Rrëzimi i Qeverisë Kurti e ardhja e Qeverisë Hoti bëri që brenda pak muajsh të ndërrohen dy ministra në MASH. Ministrja e LDK-së, Hykmete Bajrami, kaloi në krye të Ministrisë së Financave e në MASH erdhi ministri i AAK-së, Ramë Likaj.

Emërimi i Likajt u kritikua nga shoqëria civile. Organizata ORCA këtë emërim e quajti sulm direkt mbi cilësinë në arsim, meqë pretendonte se Likaj ishte avancuar në UP përmes një procesi mashtrues teksa e akuzoi edhe për plagjiaturë.

Pak ditë pasi e mori detyrën, ministri Likaj raportoi në komisionin parlamentar për arsim rreth menaxhimit të procesit mësimor gjatë pandemisë.

“Rreth 32 mijë nxënës nuk kanë qenë të përfshirë në këtë mësimin në distancë që është një numër i konsiderueshëm”, pati thënë ai.

Por, disa muaj më vonë, MASH tha se bëhet fjalë vetëm për 9 mijë e 70 nxënës.

Pandemia shkaktoi probleme edhe në mbajtjen e Testit të arritshmërisë dhe atij të maturës. I pari u anulua për këtë vit e ky i fundit u shty dy herë.

Viti shkollor 2020/2021 nuk nisi me kohë, por me dy javë vonesë. Ministria, komunat e vet shkollat nuk e kishin të qartë se si do të realizohej procesi mësimor. Në fund të gushtit Qeveria miratoi master-planin për vitin shkollor i cili parashihte 3 skenar për organizimin e mësimit në kohë pandemie.

Në skenarin A, parashihej mësim në shkolla duke respektuar shumë masa si bartja e maskave, respektimi i distancës, matja e temperaturës së stafit e nxënësve. Skenari B, mësim i kombinuar që mësimi të zhvillohet edhe në shkollë edhe nga distanca.

Ndërkaq, skenari C parashihte që mësimi të realizohet vetëm nga distanca përmes platformave online dhe duke mbajtur kontakt më mësimdhënësit.

Më 14 shtator u hapën dyert e shkollave, bazuar në skenarin A. Por, me disa kushte. Në hyrje të shkollave u vendosën shenjat për të respektuar distancën, secilit nxënës e mësimdhënës i matej temperatura, dhe askush nuk lejohet të hyjnë në shkollë pa maskë.

Me gjithë masat, nisi infektimi i nxënësve, mësimdhënësve e stafit teknik të shkollave. Shumë institucione shkollore u mbyllën dhe kaluan në skenarin C. Deri në mesin e dhjetorit me Covid u infektuan, 2.301 mësimdhënës, 1.470 nxënës dhe 284 punëtorë teknikë.

Shtyrja e testit të maturës bëri që të shtyhet edhe fillimi i vitit akademik për vitet e para. UP është zotuar se të gjitha orët e humbura do të kompensohen dhe studentët nuk do të mbesin mbrapa. Në institucionet e arsimit të lartë, këtë vit akademik ligjëratat do të mbahen online, kurse pjesa praktike dhe provimet në fakultete.

Qeveria e shkurtoi gjysmëvjetorin e parë të këtij viti shkollor dhe e zgjati pushimin dimëror edhe pse mësimi nisi me vonesë.

E problemeve që i shkaktoi pandemia ju shtua edhe një dështim. Rezultatet e testit ndërkombëtarë TIMSS të publikuara në dhjetor treguan suksesin jo të mirë të nxënësve të klasave të katërta. Nga 58 shtete pjesëmarrëse, Kosova në matematikë u rendit në vendin e 49-të, kurse në shkencë në vendin e 52-të. Kosova ndodhet nën mesataren e TIMSS, e cila është 500 pikë. Në shkencë Kosova mori 413 pikë, kurse në matematikë 444 pikë.

Edhe për vitin e ardhshëm është paralajmëruar se viti shkollor do të vazhdojë sipas 3 skenarëve të MASH-it, mësim në shkolla, mësim i kombinuar ose mësim nga distanca. Ndërrimi i skenarëve do të bëhet varësisht nga situata me pandeminë.