Arbëri

Arrestohet një polic, rekomandohet suspendimi i dy të tjerëve

Policia e Kosovës

Foto: ilustrim

Një polic është arrestuar në fshatin Bukosh të Vushtrrisë, nën dyshimin për të shtëna armësh, ka njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës. E në raste të tjera është rekomanduar suspendimi i dy policëve.

Siç ka njoftuar Inspektorati, arrestimi i zyrtarit policor ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit ku fillimisht Policia e Kosovës ishte njoftuar për një rast të gjuajtjes më armë zjarri pas orës 3 të mëngjesit në një lokal në fshatin Bukosh të Vushtrrisë.

“Pasi në këtë rast ishte përfshirë si i dyshuar një zyrtar policor i cili ishte jashtë detyrës zyrtare, bazuar në autorizimet ligjore janë njoftuar hetuesit e IPK-së. Pas disa veprimeve hetimore, me dyshimin se ky zyrtar ka kryer veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, i njëjti është arrestuar kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftim.

Një zyrtar policor tjetër është rekomanduar që të suspendohet nën dyshimin se ka kryer veprën penale të kanosjes brenda objektit të stacionit policor në Kaçanik.

Në rastin tjetër, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e policit nën dyshimin se ka kryer veprën penale të keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.