Një nga personat më të kërkuar nga Policia e Shqipërisë është arrestuar të martën në mbrëmje. Bëhet fjalë për Nuredin Dumanin, që dyshohet se kishte kryer një atentat në Elbasan ndaj Talo Çelës, gjithashtu të shumëkërkuar.
Nga shkëmbimi i zjarrit, Dumani kishte mbetur i plagosur. Ai dyshohet se kishte organizuar pritë për të vrarë Çelën.
Dumani dhe Talo Çela dikur kanë qenë miq. Ata akuzohen për përfshirje në disa ngjarje kriminale, përfshi këtu dhe vrasjen e vëllezërve Haxhia në 28 prill të vitit 2019.
Si ndodhi atentati
Atentati ndaj Talo Çelës ndodhi në aksin rrugor Elbasan-Peqin pasditen e së martës.
Fillimisht u njoftua nga policia për BMW-në që u qëllua me breshëri dhe që ishte me targa të vjedhura në qytetin e Durrësit që në prill të vitit 2021. Drejtuesi që besohet se ishte Talo Çela, braktisi makinën dhe u largua nga vendi i ngjarjes menjëherë pas të shtënave. Gjatë kontrollit policia gjeti një kallashnikov edhe një bidon me 5 litra benzinë.
Kush është Nuredin Dumani?
37-vjeçari është emër i njohur në botën e krimit. Ai është i dyshuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, kjo pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla i cili tha se vëllezërit u vranë pasi akuzoheshin se nuk i kishin kthyer një shumë të konsiderueshme parash që kishin lënë në servisin e tyre.
Dumani mësohet se ka lidhje shoqërore me Klevis Kapllanin, i ekzekutuar me 14 plumba më 15 shtator. Ai akuzohet edhe si organizator i vrasjes së Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars të vitit 2020.
Për vrasjen e katër të rinjve në Durrës, Dumani dyshohet se ka bashkëpunuar së bashku me Talo Çelën.
Gjithashtu Dumani ka qenë i lidhur me një rrjet prostitucioni që doli në dritë pas denoncimit të një vajze nga Durrësi të trafikuar në Francë. Sipas dëshmisë së saj, Dumani ishte tutori që i mashtronte vajzat duke u propozuar për martesë dhe në rast refuzimi i kërcënonte se do t’u vriste familjarët.
Dumani ishte i shpallur në kërkim dhe për vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Bujar Çelës në Elbasan/tch.