Në kuadër të aksionit të Policisë së Kosovës, që ka zhvilluar të mërkurën në disa qytete të Kosovës, në rastin e njohur si “Subvencionet”, në Pejë, hetuesit e krimeve ekonomike kanë arrestuar të mërkurën inspektorin e tregut në këtë komunë, S.K. nën dyshimin për keqpërdorime të subvencioneve në bujqësi.
Inspektori S.K. është arrestuar në zyrën e tij në Drejtorinë e Inspektoratit Komunal.
Siç mëson KOHA nga burimet e saj, dyshohet se për të përfituar subvencione është aplikuar me parcela fiktive ose me parcela gurore e pylli, të paraqitura në letër si toka bujqësore.
Në kuadër të këtij aksioni, është arrestuar edhe zyrtari në sektorin e pylltarisë D.K. në Komunën e Istogut.