Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy zyrtarë policorë, nën dyshimin se kanë marrë ryshfet.
IPK-ja ka njoftuar se ka marrë informata të dielën nga një qytetar që ka pretenduar se dy policë të njësisë rajonale të trafikut rrugor në Pejë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Hetuesit e IPK-së kanë marrë informata se policët e kishin ndaluar qytetarin në një pikë kontrolli dhe për të mos i shqiptuar gjobë i kanë kërkuar një shumë monetare.
“Pas veprimeve paraprake hetimore të kryera nga hetuesit e IPK-së, janë arrestuar dy zyrtarët policorë me dyshimin se kanë kryer veprën penale ‘Marrja e ryshfetit’ dhe të njëjtëve me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, ka njoftuar IPK-ja.
IPK-ja ka njoftuar se ka rekomanduar Policinë e Kosovës që t’i suspendojë dy zyrtarët policorë.
“Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente. IPK falënderon të gjithë qytetarët për bashkëpunim duke mbetur e përkushtuar drejt fuqizimit të integritetit në radhët e policisë”, ka njoftuar IPK-ja.