Arbëri

Arrestohen 35 persona në Tiranë – mashtruan dy mijë klientë nëpërmjet “call center”

Pronari i kompanisë “call center” “RG Capital” me qendër në Tiranë, Refael Genish, është arrestuar të premten nga Policia shqiptare. Bashkë me këtë shtetas izraelit janë arrestuar edhe 35 persona të tjerë, ndërsa që 20 janë në kërkim. Aktiviteti i kësaj kompanie dhe i të arrestuarve dyshohet se është mashtrimi i afro 2 mijë qytetarëve në Evropë, nga 2 milionë sa janë kontaktuar nga ky grup

Mbi 2 milionë shtetas në Evropë të kontaktuar, ku 2 mijë prej tyre janë arritur të mashtrohen - ky është bilanci i aktivitetit të kompanisë “call center” “RG Capital” me qendër në Tiranë, me pronar shtetasin izraelit, Refael Genish, i arrestuar të premten nga Policia shqiptare. Genish dyshohet se organizoi një veprimtari në fushën e “call center” në Shqipëri, përmes kompanisë tij “RG Capital”. Në hetimet e kryera nga Njësia e krimit kibernetik në Policinë e Shtetit në Shqipëri dhe Prokuroria e Tiranës, u arrit në arrestimin e 35 personave, ndërsa 20 të tjerë janë në hetim. Ata kanë kontaktuar më shumë se dy milionë qytetarë evropianë, 2 mijë prej të cilëve janë arritur të mashtrohen.

Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit (DPPSH), Tonin Vocaj, tha se mbi 2 milionë persona janë kontaktuar nga “call center” nga shtete të ndryshme të botës. Sipas Vocajt, Refael Genish dyshohet si organizator i skemës së mashtrimit, ndërsa kompania që fshihej pas kësaj quhej "RG Capital". Ai shtoi po ashtu se janë arrestuar 35 persona, ndërsa 20 të tjerë janë nën hetim.

“Operacioni "Komunikimi", ka evidentuar aktivitetet kriminale te mashtrimet kompjuterike për shtetas të huaj. “RG Capital” ushtronte aktivitet në “call center” dhe u evidentuan viktimat jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Hetimet bënë të mundur identifikimin e personave dhe drejtuesve. Si rezultat, u kontrolluan ambientet për këtë qëllim. Nga hetimet e zhvilluara rezultonte se prej disa vitesh një subjekt tregtar nën emërtimin ‘RG Capital’ zhvillonte aktivitetin e tij në fushën e qendrave të thirrjeve telefonike ose siç njihet në Shqipëri ‘call center’. Nga bashkëpunimi i ngushtë me partnerët u arrit të evidentoheshin viktima të kësaj veprimtarie kriminale jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, tha Vocaj.

Gjatë operacionit policor “Komunikimi”, u sekuestruan qindra pajisje.

“Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 123 pajisje kompjuterike, 60 pajisje të telefonisë së lëvizshme, 3 laptopë, 2 USB, karta të bardha të ngjashme me ato të bankave, një sasi e vogël lënde narkotike e llojit cannabis sativa”, bëri të ditur drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale, Tonin Vocaj.

Ndërsa Elisabeta Imeraj, drejtuese e Prokurorisë në Tiranë, theksoi se janë sekuestruar prova materiale të shumta që do t'i shërbejnë hetimit në vijim.

“Do të vijojë bashkëpunimi me policinë për të vijuar me goditjen e rasteve të tjera të ngjashme”, tha Imeraj.

Në muajin nëntor, Policia dhe Prokuroria e Shkodrës goditën një bazë “call center” në qytetin verior, që në drejtimin e një shtetasi polak bënte mashtrime të shtetasve spanjollë dhe gjermanë. Autoritetet gjermane dyshojnë se “call center-at” që veprojnë në Shqipëri kanë lidhje edhe me ato të Kosovës dhe baza e tyre është në Gjeorgji. Autoritetet e qytetit Bamberg të Gjermanisë, i kanë dërguar në muajin tetor një letër-porosi Prokurorisë së Tiranës. Përmes kësaj letre kërkohet gjetja e pronarëve të disa IP-ve të evidentuara dhe më pas, këto informacione, sipas letër-porosisë kërkohet të krahasohen me të dhënat e Policisë së Kosovës dhe regjistrin tregtar të Gjeorgjisë. Prokuroria gjermane thotë në letër-porosinë, se në zyrën qendrore të Krimit Kibernetik, ka aktualisht disa procese hetimore, me autorë të paidentifikuar për akuzën e mashtrimit për arsye tregtare, duke sjellë me këtë rast shembullin konkret të mashtrimit të disa shtetasve gjermanë. Në letër-porosi citohet se vetëm në Gjermani janë prekur disa mijëra investitorë dhe objekti i këtij procesi ka të bëjë me platformën Werforex.

Më herët, nëpërmjet kërkesave të Gjermanisë, në Kosovë u goditën disa qendra call center që merreshin me mashtrim. Kryesori në këtë skemë, si pjesë e një grupi kriminal , është identifikuar dhe më pas arrestuar disa javë më parë në Kavajë nga Policia shqiptare.

Policia e Kavajës në bashkëpunim me Policinë e Durrësit, Interpol Tirana, FAST Kosova dhe FAST Albania arrestoi më 2 tetor të këtij viti, 33-vjeçarin, Andi Fosa, nga Kavaja me qëllim ekstradimin e tij në Kosovë, ku është i implikuar në veprimtarinë kriminale të mashtrimit me anë të “call center-ve” të disa shtetasve gjermanë. Fosa ishte në kërkim ndërkombëtar dhe me “call center”-in e tij dyshohet të ketë përfituar rreth 30 milionë euro. Ai ishte në drejtimin e një grupi kriminal që kishin përfituar vlera të mëdha monetare, duke mashtruar për 3 vjet qytetarët gjermanë me lotari online.

Nga një operacion që ishte zhvilluar në Prishtinë, në mars të këtij viti në bashkëpunim të Policisë së Kosovës dhe asaj gjermane, në banesën e Fosës ishin sekuestruar mbi 2 milionë euro. Nga aksioni i muajit mars ishin arrestuar 18 persona pasi kishin bashkëpunuar me Andi Fosën. Gjykata Themelore Prishtinë (Departamenti Special), ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg“, për Fosën për veprat penale “Mashtrimi“ i kryer në bashkëpunim, “Pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal me qëllim mashtrimin“ dhe “Pastrimi i parave“, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës Kosovës.

Në Shqipëri, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për të verifikuar në terren këtë treg të paligjshëm, të kompanive që përdorin platforma online të brokerimit (ndërmjetësimit) dhe punojnë në të zezë, pra të palicencuara. Këto shoqëri që maskohen si ligjore, joshin të huajt nëpërmjet skemave të mashtrimit të investojnë para që kalojnë në llogari të përgjumshme bankare, me premtimin se për një periudhë të shkurtër kohore, investimi i tyre do të shumëfishohet. Kompanitë “call center” kryesisht marrin me qira ambiente të mëdha në zonat më të populluara në Tiranë, me qindra punonjës shqiptarë, kryesisht të rinj, që paguhen bazë nga 400-700 euro, por që paga e tyre mujore mund të arrijë deri në 3 mijë euro, në varësi të vlerës së investimit që arrijnë të marrin nga personat që bëhen pjesë e sistemit, pasi i kontaktojnë përmes një regjistri telefonik me numra të qytetarëve të një shteti përkatës.

Të përzgjedhurit janë kryesisht moshat e thyera, për shkak se mund të mashtrohen më shpejt dhe pa kërkuar shumë detaje që për vetë moshën janë deri duke të pakuptueshme. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton se 11 kompani të ndryshme përdorin “Forex” në Shqipëri. Qytetarëve u premtohet se brenda një kohe shumë të shkurtër, që për shembull në sistemin bankar duhet të presësh për vite, një investim i vogël fillimisht, do të dyfishohet për pak muaj, e kështu me radhë duke i shtuar shumat e investimit në varësi të premtimeve për fitime shumë më të mëdha në vlera. Rrjeti FOREX ofron mundësinë për t’u futur në internet, për të investuar, për të blerë monedha, aksione, etj., të presësh që çmimet në bursë të rriten, për t’i shitur shumë më shumë nga sa i kanë blerë. Në një rrjet të ligjshëm e të licencuar kushdo që arrin rezultatin e dëshiruar, mund ta tërheqë fitimin e ta mbyllë llogarinë.