Arbëri

Arrestimi në ATK, 4 milionë euro evazion fiskal nga fshehja e fitimeve të bizneseve

Pretendimet e kallëzuesit Murat Mehmeti për evazion fiskal janë konkretizuar me aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kundër të pandehurit Safet Krasniqi.

Prokuroria ka thënë se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se Krasniqi duke qenë ushtrues i detyrës së drejtorit të Njësisë së Hetimeve Tatimore dhe të Inteligjencës, ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Krasniqi veprën penale e ka kryer gjatë viteve 2013 – 2019, duke siguruar përfitime të kundërligjshme të dobisë pasurore për vete dhe 120 biznese ekonomike, me çka i ka shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës afërsisht 4 milionë euro, raporton KTV.

“I pandehuri Safet Krasniqi, për disa biznese nuk ka ndërmarrë asnjë aktivitet, vizitë, kontrolle, rikontrolle e as inicim të procedurave penale, duke shpërdorur pozitën e tij zyrtare apo autoritetin e tij. I pandehuri i ka autorizuar punëtorët e ATK-së, duke kërkuar nga ta që të vizitonin disa nga bizneset ekonomike dhe duke kërkuar nga këta zyrtarë të Administratës Tatimore, të bëjnë korrigjimet e deklarimeve tatimore në ato biznese të vizituara, në cilat deklarime kanë qenë të lidhura me faturat e dyshuara dhe transaksione fiktive me biznese fiktive”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Ky skandal ishte zbuluar kur sinjalizuesi Murat Mehmeti doli publikisht dhe foli për miliona euro të keqpërdorura nga ish-shefi i tij dhe për shmangie nga tatimi të rreth 200 bizneseve kosovare.

Mehmeti dy herë u degradua nga pozita, pikërisht për shkak të sinjalizimit për këtë çështje.

Bashkë me Krasniqin, Prokuroria ka qenë duke hetuar edhe 5 drejtorë të tjerë të ATK-së dhe disa inspektorë, por sipas prokurorit Sylë Hoxha, për të njëjtit nuk ka pasur prova se me dashje kanë marrë pjesë në këtë keqpërdorim.

Safet Krasniqi është edhe vëllai i ish-deputetit të PDK-së, Halit Krasniqi.