Veriu i vendit ka vazhduar të mbetet pika që ndez për pak. Vizitat e zyrtarëve serbë që përdorin dy pikat kufitare atje, kanë shërbyer si pika tensioni të vazhdueshëm. Në fund të marsit, përkundër ndalesës, drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, mori pjesë në një manifestim në veri për të folur për gjendjen e serbëve këtu.
Derisa e gjithë ngjarja po shkonte Livestream, forca të shumta të armatosura të Policisë së Kosovës hyjnë në objektin ku ishin grumbulluar shumë njerëz, në kërkim të arrestimit të Gjuriqit.
Derisa të tjerët lëshuan rrugë, u lokalizua Gjuriqi, i cili me forcë u fut në mjetet e Policisë për t’u sjellë në Prishtinë. Këtu, me gjasë me urdhër të vetë presidentit Thaçi, Gjuriqi u nxor nga vetura që e solli disa metra larg stacionit policor dhe praktikisht u tërhoq zvarrë, në prani të dhjetëra qytetarëve që e shanin dhe e incizonin.
Gjuriqi u lirua brenda pak orësh, por ky akt acaroi edhe më shumë marrëdhëniet Kosovë – Serbi.