Arbëri

Arifi: Qeveria do të duhej t’i paraqiste kushtet në fillim, jo tash kur është rritur presioni

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka konsideruar se Qeveria e Kosovës do të duhej t’i paraqiste kushtet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që në fillim të mandatit dhe jo tashmë kur është rritur presioni nga faktori ndërkombëtar. Megjithatë sipas tij, njohja reciproke duhet të jetë kushti kryesor mbi të cilin nuk duhet shkelur.

Arifi ka thënë se me arritjen e marrëveshjes reciproke, çdo gjë tjetër do të jetë relative dhe do të zhvillohet mbi baza normale, andaj sipas tij, kryeministri Albin Kurti nuk duhet të heqë dorë nga ky kusht fundamental, pasi me njohjen e ndërsjellë çështjet tjera do të relativizoheshin dhe Asociacioni do ta humbiste vlerën e vet politike.

“Gabimi i Qeverisë ka qenë që këto kushte nuk i ka vënë në fillim të mandatit dhe jo për publikun, por për ndërmjetësit - për BE-në dhe SHBA-në – në fillim Qeveria deri së voni e ka mohuar kinse formimin e Asociacionit, tash kur e pa që presioni është rritur, Asociacioni mund të bëhet, por me këto kushte. Mendoj se kushtet janë në rregull sepse gjithsesi duhet të përfundojnë këto mospajtimet Kosovë-Serbi, por normalisht që bashkësia ndërkombëtare duhet ta kuptojë që njohja reciproke është kushti kryesor dhe të tjerat janë relative dhe mund të inkorporohen pas marrëveshjes sepse aty mund të ketë dialog bilateral mes Kosovës dhe Serbisë për të gjitha çështjet tjera, por nëse arrijnë te njohja reciproke, çdo gjë tjetër do të jetë relative dhe do të zhvillohet mbi baza normale”, ka thënë Arifi në një përgjigje për KOHËN.

Ai ka konsideruar se Asociacioni është një lloj autonomie, por duhet punuar me kujdes që atij t’i jepet autoritet në tri çështje – si autonomi kulturore, arsimore dhe ekonomike – në mënyrë që të mos krijohet autonomi territoriale.

“Asociacioni është status i veçantë, është një lloj autonomie, por nuk po i themi që është autonomi. Tani varet se deri ku japim ne ingirenca, autonomi kulturore, arsimore, ekonomike, pra këtu duhet të fokusohemi në këto tri pika, nuk guxojmë të lëvizim më larg sepse atëherë del autonomi territoriale. Këtu duhet pasur kujdes jashtëzakonisht shumë. Pra ky vetëm është një status i veçantë për komunitetin serb dhe kështu nuk besoj që mund të kemi në të ardhmen diçka tjetër sepse atëherë Kosova do të lëvizë jashtëzakonisht shumë, do të avancohet në përfaqësimin ndërkombëtar dhe do të jetë pothuajse e pamundur për komunitetin serb të bëjë diçka në të ardhmen e afërt sepse më pas politikat do të ndryshojnë. Nëse arrijmë njohjen reciproke gjithçka ndryshon edhe në Kosovë, edhe në Serbi, edhe në BE”, ka thënë ai.

Arifi ka thënë se ndërmjetësuesit evropianë dhe ndihmësit amerikanë për dialogun Kosovë-Serbi janë duke treguar interesim të madh për ta përfunduar brenda këtij viti marrëveshjen gjithëpërfshirëse midis dy vendeve me qëllim që kjo çështje e Ballkanit të mbyllet para se të fillojnë bisedimet për konfliktin Rusi-Ukrainë.

“Janë shumë signifikante vizitat e shpeshta, jo vetëm të ndërmjetësuesve evropianë, por edhe të ndihmësve amerikanë, pra edhe SHBA-ja edhe BE-ja bashkë po bëjnë presion që të paktën brenda këtij viti të arrihet një marrëveshje bazë ashtu siç e kanë quajtur planin franko-gjerman apo evropian mbi të cilën Serbia do ta pranojë sovranitetin e Kosovës dhe pastaj të vazhdohet me marrëveshjen finale, pra njohjen reciproke. Dhe pikërisht pse ka interesim kaq të madh të përfundojë këtë vit janë edhe kërkesat e SHBA-së dhe BE-së për të dyja palët që vendimet do të jenë të vështira dhe do të kërkohet kompromis, po dëshirojnë ta mbyllin marrëveshjen. Sipas këndvështrimit tim është që Ballkani të mbyllet para se të fillojnë negociatat për konfliktin apo luftën në Ukrainë dhe Rusi”, është shprehur ai.

Derisa ka kritikuar opozitën për mungesë të ndihmës ndaj Qeverisë për këtë çështje, profesori i shkencave politike ka thënë se i takon pushtetit të jetë i kujdesshëm në raport me të, në mënyrë që të dalin me një qëndrim të përbashkët.

“Nuk po shoh te opozita ndonjë pengesë, por as ndonjë zë të fuqishëm që t’i ndihmojnë apo të jenë përkrah Qeverisë sepse ende po merren me të kaluarën e kryeministrit, që të themi të drejtën edhe është fajtor sepse 10 vjet ka manipuluar me këtë çështje, por tani nuk duhet të flasim për një person, po flasim për shtetin e Kosovës. Më shumë i takon kryeministrit të jetë më i kujdesshëm në raport me opozitën që aftësia e tij është se si të arrijë që ta unifikojë komplet faktorin shqiptar. Pra, kjo është edhe një aftësi jashtëzakonisht e madhe që dyshoj se e ka kryeministri të paktën në këtë fazë”, ka thënë ai.

Arifi e ka konsideruar si bazë të mirë draft-versionin e institutit gjerman Fondacioni Friedrich Ebert (FES), mbi të cilin thotë se Qeveria mund ta ofrojë një draft-statut bashkë me komunitetin serb dhe ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Kjo është ajo që e ka hapur debatin për të gjitha palët, tani le të shohim se si Qeveria do të veprojë. Unë sërish mendoj që Qeveria duhet ta bëjë draftin e vet bazuar në ligjet, nenet, Kushtetutën dhe në gjithë spektrin tjetër ligjor në kuadër të saj dhe ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas politikisht duhet të pritet se ku po shkojmë me marrëveshjen finale. Qeveria do të duhej të sillej me përgjegjësi edhe ndaj vetes, edhe ndaj qytetarëve, por edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Të enjten në seancën e Kuvendit, kryeministri Kurti prezantoi gjashtë kushte nën të cilat u shpreh se do të pranonte formimin e Asociacionit. Kushtet që përmendi ishin që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën, të ndërrojë emrin, të mos jetë monoetnik, të mos ketë kompetenca ekzekutive, të drejtat e pakicave të kenë parimin e reciprocitetit, të shuhen strukturat ilegale të Serbisë, që Asociacioni të jetë pjesë e marrëveshjes finale e të zbatohet pas njohjes e që Serbia t’i tërheqë letrat dërguar shteteve mosnjohëse në BE për të kundërshtuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.