Arbëri

Arifi: Çelësi për ta kaluar krizën është te Vetëvendosja

Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, ka vlerësuar se kriza e thellë institucionale në Kosovë është pasojë e mungesës së pjekurisë politike, veçanërisht nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.

Duke komentuar dështimin për herë të gjashtë me radhë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit – ku Albulena Haxhiu nuk arriti të marrë shumicën – Arifi theksoi se problemi nuk është më teknik, por politik.

“Çelësi për ta kaluar këtë krizë është te Vetëvendosja. Po tregohet papjekuri politike nga të gjitha partitë, por veçanërisht nga partia e parë, e cila ka përgjegjësinë më të madhe”, deklaroi ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Arifi ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese së vitit 2014 që pozita e kryeparlamentarit t’i takojë partisë fituese ka krijuar precedent. Sipas tij, Kushtetuesja është dashura ta ndjekë logjikën e njëjtë si për formimin e Qeverisë – nëse partia e parë nuk i ka votat, t’i takojë radha partive të tjera.

Sipas tij, problemi aktual qëndron në mungesën e dialogut të mirëfilltë dhe transparencës.

“Nuk kemi pasur dialog që nga 10 shkurti. Po bashkëpunojnë në mënyrë sekrete. Nuk do të ishte turp të diskutohej publikisht një emër për kryeparlamentar, të shihej nëse është i pranueshëm apo jo”, u shpreh Arifi.

Ai kritikoi edhe sjelljen e partisë fituese, duke sugjeruar se ajo nuk ka as vullnet dhe as aftësi për të marrë përgjegjësinë e qeverisjes.

“Na lejohet të supozojmë që Vetëvendosja nuk po do ta marrë qeverinë, ose nuk ka aftësi komunikimi. Politika është art i komunikimit. Nëse ankohet partia fituese, kjo tregon se nuk ka ide si të menaxhojë proceset politike”, ka deklaruar Arifi.

Ai shtoi se mungesa e qartësisë rreth temave prioritare dhe vijave të kuqe të partive është një tjetër simptomë e krizës së thellë politike dhe intelektuale në vend.

“Kemi mbetur në terr informativ. Nuk e dimë as cili është vizioni për të ardhmen, nëse formohet një qeveri”, përfundoi Arifi.