Gjykata Komerciale ka aprovuar si tërësisht të bazuar kërkesëpadinë e “Grupit KOHA” lidhur me vendimin e Komunës së Prishtinës për mbylljen për qarkullim të mjeteve motorike të rrugëve “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha” si dhe rrugëve e rrugicave të cilat kalojnë në parkun e Universitetit të Prishtinës dhe të Bibliotekës Kombëtare.
Grupi KOHA e kishte paditur Komunën lidhur me këto vendime. Komercialja i ka shpallur të kundërligjshme të dy vendimet e Komunës së Prishtinës.
“Aprovohet në tërësi e bazuar kërkesëpadia e paditësit Grupi KOHA me seli në Prishtinë, kundër të paditurës Komunës së Prishtinës me seli në Prishtinë. Anulohet vendimi me nr. 14-020/05-171446/23 i datës 18.08.2023 dhe vendimi me nr. 14-016/01-51462 të datës 22.04.2024 të nxjerra nga Kryetari i Komunës së Prishtinës si të kundërligjshme. Mbetet në fuqi shtyrja e ekzekutimit të vendimit me nr. 14-020/05-171446/23 i datës 18.08.2023, i publikuar me datën 21.08/2023, deri në plotfuqishmërinë e këtij vendimi”, thuhet në aktgjykim.
Ndryshe, Grupi “KOHA” më 28 gusht 2023 ka ushtruar padi ndaj vendimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama të marrë më 18 gusht 2023, lidhur me mbylljen e qarkullimit të mjeteve motorike të rrugëve të kryeqytetit të cilat kalojnë/dërgojnë në parkun e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Bibliotekës Kombëtare, duke kufizuar edhe të drejtën e Grupit “Koha” për të qarkulluar brenda parkingut të vet.
Komuna e Prishtinës, e kishte shfuqizuar vendimin për mbylljen e disa rrugëve në Prishtinë, por sipas përfaqësuesit të Grupit “KOHA”, avokatit Ardian Bajraktari, ky vendim për shfuqizim po ashtu ishte i kundërligjshëm pasi nuk përmbante as arsyetim dhe nuk ishte bërë sipas Ligjit për Procedurën Administrative.
“Veç në matematikë minus dhe minus bëjnë plus, në drejtësi nuk mund të vendoset drejtësi në rast se me një akt të jashtëligjshëm shfuqizohet një akt tjetër i jashtëligjshëm”, u shpreh Bajraktari.
Grupi “KOHA” kishte zgjeruar padinë seancën e kaluar, duke atakuar edhe vendimin e dytë për anulimin e vendimit.