Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE), në Kosovë u ka kërkuar të mërkurën deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që t`i bëjnë trysni Qeverisë për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ të nxjerrë gjatë vitit të kaluar, i cili ka mundësuar vazhdimin e monopolit për homologimin e automjeteve.
Kërkesën e ka adresuar në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, një muaj para se të bëhet udhëzimi i plotfuqishëm, i cili do t’ia siguronte kompanisë “EuroLab” kryerjen e këtij shërbimi, si kompani e vetme edhe për 10 vjet të tjerë, shkruan sot Koha Ditore.
Në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Apostolova, ka përsëritur qëndrimin e BE-së se monopoli bie ndesh me standardet e BE-së, e po ashtu edhe me Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim, të cilën obligohet ta zbatojë Kosova.
Kërkesa për shfuqizim ka ngjallur debat mes deputetëve të pozitës dhe opozitës. Deputetët e pozitës kanë kundërshtuar propozimin e opozitës për t’i shkruar një letër ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, për shfuqizimin e këtij udhëzimi administrativ sado që kundër tij janë deklaruar edhe ata.
Kanë thënë se Komisioni duhet paraprakisht ta ftojë Lekajn për raportim dhe pastaj t`ia shpalosin qëndrimet. Në fund, kanë rënë dakord që t`i shkruajnë letër ministrit dhe t`ia bëjnë me dije shqetësimet e Komisionit e të BE-së, e po ashtu ta ftojnë atë për raportim të martën e ardhshme.
Para deputetëve, shefja e BE-së ka thënë se monopoli në homologimin e veturave është një brengë e ngritur nga BE-ja, pasi bie në kundërshtim me standardet e saj.
“Udhëzimi Administrativ i Qeverisë 02/2018 për homologimin e automjeteve do të çojë në shtrirjen e monopolit, pasi vendosja aktuale nënkupton zgjerimin automatik të një operatori ekonomik, i cili ka pasur një marrëveshje ekskluzive që nga viti 2008. Kjo praktikë shkon kundër frymës së Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (SAA) dhe krijon pengesa për tregtinë”, ka theksuar ajo.
Apostolova ka deklaruar se aktualisht qytetarët paguajnë një shërbim në dispozicion vetëm në Prishtinë me një çmim shumë më të lartë se të tjerët në rajon....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)