Arbëri

Apostolova e shqetësuar me emërimin e personave të caktuar në krye të ndërmarrjeve publike

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, është shprehur e shqetësuar në lidhje me emërimet në krye të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës.

Në diskutimin ‘Etika në Administratën Publike”, të organizatës FOL, Apostolova tha se reforma e administratës publike, ndonëse është e dhimbshme, është shumë e nevojshme.

“Vendimi se janë rritur pagat për këshilltarët e ministrave dhe pjesën tjetër ishte befasi. Ky vendim ka çrregulluar stabilitetin financiar të buxhetit të Kosovës. Disa emërime të caktuara ne i kemi parë me shqetësim. E dini për çka e kam fjalën, shefat e agjencive që kanë të bëjnë me pronat, këta njerëz duhet të jenë me kredibilitet", ka thënë Natalya Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Apostolova tha se me reformën e administratës publike synojnë numër të përfaqësuesve të përgjegjshëm, që paguhen mirë.

E ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se Kosova duhet të përgatitet me reformë administrative, si në vendet evropiane.

Ai u shpreh se etika në administratën publike është shtyllë qendrore e Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike 2015-2020, si dhe prioritet kryesor në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ai i bëri të ditura të gjeturat e raportit për masat disiplinore në shërbimin civil gjatë vitit 2018.

Lidhur me nivelin qendror, ai tha se gjatë vitit të kaluar, janë 43 raste të masave disiplinore ndaj nëpunësve civilë për shkelje të etikës dhe legjislacionit antikorrupsion.

Yagcilari bëri të ditur se në 33 raste janë përfshirë shkelje të rënda, ndërsa në 10 raste shkelje të lehta.

E, në nivel komunal, gjatë vitit 2018, ai tha se ka pasur 39 raste të masave disiplinore ndaj nëpunësve civilë për shkelje të etikës dhe legjislacionit antikorrupsion.