18 persona kanë aplikuar për statusin e viktimës për të marrë pjesë në procesin në Gjykatën Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në këtë mes janë nëntë serbë, gjashtë shqiptarë dhe shtetësia e tre tjerëve nuk është bërë e ditur.
Disa prej tyre kanë dorëzuar dokumente mbështetëse për dëmet mentale, fizike e materiale që pretendojnë se u kanë shkaktuar UÇK-ja, ndërsa disa prej tyre nuk kanë dorëzuar dokumente
“Deri më sot, Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave ka marrë 19 aplikime nga personat që kanë aplikuar për të marrë pjesë në procedura si viktima. Shumica e aplikimeve janë dërguar me email, me forma të aplikimit dhe dokumente mbështetëse. Tetë aplikime janë dorëzuar nga dy avokatë të ndryshëm. Një aplikues, që ishte regjistruar me pseudonim Viktima -15/06, ka tërhequr aplikimin, dhe për këtë arsye nuk është i përfshirë në këtë Raport”, thuhet nga Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave.