Shumë jetë do të mund të shpëtoheshin në rast se spitalet publike dhe QKUK-ja do të ofronin në mënyrë të rregullt aplikimin e metodës së trombolizës apo shkrirjes së trombëve pas sulmit në tru. Prej rreth një mijë pacientëve që pësojnë sulm në tru gjatë një viti, kjo metodë është aplikuar vetëm te 60 prej tyre
Aplikohet fare rrallë një metodë krejt e thjeshtë e trajtimit, të cilën sistemi publik shëndetësor në Kosovë ka mundësi që ta realizojë dhe që do të mund të shpëtonte jetë apo të reduktonte pasojat e goditjes në tru.
Tromboliza konsiderohet si një terapi e avancuar për trajtimin e sulmit në tru. Barnat për këtë trajtim aplikohen në venë, duke ndikuar që trombi të shkatërrohet dhe që me rivendosjen e qarkullimit të gjakut të pengohen pasojat e sulmit që pëson truri.
Dëmtimi i madh dhe i përhershëm i trurit evitohet po qe se kjo metodë aplikohet mes 1 dhe 3 orësh prej kur ndodh sulmi. Me këtë edhe invaliditeti te pacientët e këtillë zvogëlohet në minimum.
E teksa në Kosovë brenda vitit shënohen rreth 1000 raste të sulmeve në tru, vetëm në 60 raste është aplikuar metoda e trombolizës.
Në Klinikën e Neurologjisë dhe në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) e kanë shpjeguar këtë metodë vetëm nga aspekti mjekësor, porse nuk kanë folur se përse përdoret kaq rrallë.
“Duke qenë se trajtimi, sipas udhërrëfyesit kombëtar (dhe ndërkombëtar), duhet të bëhet brenda 3 orësh nga fillimi i simptomave, vetëm një numër i vogël i pacientëve arrijnë me kohë për ta marrë këtë trajtim. Që nga marsi i vitit 2022, kur ka filluar trajtimi me trombolizë, e deri më tani, i kemi trajtuar 60 pacientë në Klinikën e Neurologjisë dhe jemi të furnizuar mjaftueshëm me ampula Alteplase”, është bërë e ditur në një përgjigje dhënë KOHËS nga ky institucioni.
Në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) kanë sqaruar për hapat që duhet të ndërmerren në mënyrë që kjo metodë të zbatohet me efikasitet.
“Shkrirja e trombit me medikamente intravenoze, me qëllim të rivendosjes së qarkullimit të gjakut, njihet si TROMBOLIZË dhe realizohet me preparatin ALTEPLASE, të cilin e posedojmë edhe ne në Kosovë në Klinikën e Neurologjisë e që sigurohet nga Ministria e Shëndetësisë (MSH). Duke qenë se trajtimi sipas Udhërrëfyesit kombëtar (dhe ndërkombëtarë) duhet të bëhet brenda 3 orësh nga fillimi i simptomave, vetëm një numër i vogël i pacientëve arrijnë që me kohë ta marrin këtë trajtim”, kanë thënë në SHSKUK.
E Edmond Komoni, drejtor i Klinikës së Neurologjisë në QKUK, javë më parë ka bërë thirrje që metoda të gjejë aplikim në gjithë Kosovën, pasi që është jetëshpëtuese.
“Ky është një apel për personat që detektojnë këto raste, për doktorët që punojnë në periferi, që ta organizojnë transportin sa më shpejt, në mënyrë që të bëhet tromboliza”, ka pati deklaruar Komoni.
Ai ka thënë se shumica e pacientëve arrijnë në QKUK rreth 3 orë pasi që kanë pësuar sulm në tru teksa ka shtuar që kjo kohë është e vonshme për aplikimin me sukses të trombolizës.
KOHA ka pyetur edhe menaxherët e spitaleve rajonale për arsyet e mosaplikimit të trombolizës te pacientët që pësojnë sulm në tru, porse nga shumica e tyre nuk ka marrë përgjigje.
Disa punonjës në spitale kanë thënë që tromboliza nuk bëhet për shkak që shumica prej tyre nuk kanë rezonancë magnetike. Aplikimi i trombolizës nuk mund të realizohet pa detektim nëpërmjet rezonancës.
Spitali i Përgjithshëm i Pejës e posedon një aparaturë të tillë. Megjithëkëtë, as aty nuk aplikohet kjo metodë. E kjo konfirmohet përmes një përgjigjeje me shkrim për KOHËN.
“Në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë kjo metodë nuk aplikohet”, kanë thënë nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë.
Zbatimi i metodës nuk bëhet as në Spitalin e Prizrenit.
“Në spitalin e Prizrenit ende nuk aplikohet metoda e trombolizës dhe për momentin pacientët, të cilët vlerësohen nga ana e neurologëve të spitalit se mund të aplikohet kjo metodë, dërgohen në QKUK. Por jemi në bashkëpunim me Klinikën e Neurologjisë në QKUK për formimin e kushteve të aplikimit të kësaj metode edhe pranë spitalit tonë”, kanë bërë të ditur nga ky spital.
Për ta aplikuar këtë metodë nevojitet një bar, i cili sigurohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe është pjesë e Listës Esenciale të Barnave. Një njësi e tij blihet për rreth 500 euro.
Sulmi në tru është shkaktari i dytë i vdekshmërisë në botë dhe shkaktari më i madh i paraqitjes së paaftësisë. Krahas vuajtjes së pacientit, është ngarkesë e familjes dhe ka pasoja sociale e
ekonomike. Pacientët me sulm në tru e përbëjnë numrin më të madh të pacientëve në Klinikën e Neurologjisë dhe në repartet përkatëse të spitaleve rajonale, me rreth 1.000 raste në vit.