Arbëri

Aplikimi për leje ndërtimore përmes sistemit online

10 euro është shuma që çdo kompani ndërtimi, arkitekt apo edhe qytetar duhet të paguajë në Komunë si rrjedhojë e aplikimit për leje të kushteve ndërtimore.

Megjithatë, këtë pagesë Komuna e Prishtinës po synon ta largojë përmes lansimit të platformës online për aplikime në këtë fushë, transmeton KOHA.

Platforma, e cila ka nisur të punohet që nga tetori i 2019-s tanimë është në fazën testuese të saj, derisa situata e krijuar me pandeminë ka ndihmuar në përshpejtimin e procesit të punimit në të.

Sipas Zejnulla Rexhepit nga Drejtoria e Urbanizmit në Prishtinë, synim kryesor është zvogëlimi i kostos së aplikimit dhe përshpejtimit të procedurave për lejet ndërtimore.

Sipas Rexhepit, deri më tani janë regjistruar 75 profesionistë të fushës së ndërtimit derisa gjatë javëve në vazhdim Komuna do të fillojë edhe me trajnime në përdorimin e platformës.

Ai thotë se aplikimi online nuk merr më shumë se 15 minuta kohë dhe se përfshin të gjithë hapat proceduralë që bëhen edhe në mënyrë fizike, duke nisur nga të dhënat personale e deri te të dhënat gjeodezike mbi parcelën.

Një proces i tillë është i mirëpritur edhe nga arkitekti Arbër Sadiki, i cili thotë se kjo është një metodë praktike përmes së cilës bëhet më e lehtë shtyrja e procedurave për aplikim.

Pos kësaj, Sadiki shprehet se modele si këto ka vite që aplikohen në vendet e rajonit dhe se përmes tij rritet edhe niveli i transparencës mes Komunës dhe qytetarit.

Edhe përkundër lansimit të këtij sistemi, qytetarët dhe të gjithë të interesuarit edhe më tutje do të mund të aplikojnë përmes formës fizike.

Megjithatë, sipas Rexhepit, synimi kryesor është që gradualisht të evitohet aplikimi në formën fizike për çështje të tilla.