Senati i Universitetit të Prishtinës ka shtyrë sërish shqyrtimin e rekomandimit për uljen e gradës së profesorit të Juridikut, Enver Hasani, pasi Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka konstatuar se ka pasur konflikt interesi në trajtimin e denoncimit ndaj ish-kryetarit të Kushtetueses.
APK-ja ka konstatuar se trajtimi i denoncimit të Fakultetit Juridik ndaj Hasanit nga ish-kryesuesi i Këshillit të Etikës, Iset Morina, ka konflikt interesi.
Sipas Agjencisë, pjesëmarrja e Morinës në trajtimin e rastit është në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, meqë vetë ai ka qenë objekt i denoncimit ndaj Hasanit.
APK-ja ka kërkuar që denoncimi ndaj profesorit të Juridikut të kthehet në fazën fillestare.
Shqyrtimi i rastit ndaj Hasanit dhe opinioni i APK-së u shtynë për një mbledhje të pacaktuar, pasi rektori Arben Hajrullahu ka thënë se do të kërkojë sqarime shtesë nga ky institucion.
“Sqarimet shtesë që do t’i kërkojmë janë vetëm që të sigurohemi që nuk jemi duke gabuar diku në hapa”, ka thënë Hajrullahu.
Në mbledhje, Hajrullahu e ka akuzuar Hasanin për kërcënim të senatorëve me kallëzim penal.
“Jo vetëm unë që kam marrë kallëzime penale, por jemi kërcënuar edhe ju të gjithë së bashku se në rast se merremi me detyrat dhe ushtrimin e funksioneve tuaja e përgjegjësive të juaja si senator do të pasojnë kallëzime penale. Andaj unë ju ftoj dhe apeloj profesorit të universitetit Enver Hasani që t’i ndalojë këto veprime”, ka shtuar rektori Hajrullahu.
Rektori po ashtu ka akuzuar Hasanin për deklarim të rrejshëm nën betim në Agjencinë e Kosovës për Akreditim.
Për akuzat e rektorit ndaj tij, Hasani nuk është përgjigjur me arsyetimin se nuk e ka përcjellë mbledhjen e Senatit.
Gjatë mbledhjes Hajrullahu ka ironizuar edhe me raportimet e KOHËS.
“Siç duket në atë kohë ka qenë KTV-ja e zënë me i përhapë puplat alla Arben Hajrullahu por në rregull jemi, sido që të jetë puplat vazhdojnë me fluturu, ne nuk do të vrapojmë pas puplave me i mbledhë”, ka thënë ai.
KOHA ka raportuar se bazuar në dokumentet zyrtare, rektori dyshohet se ka shkelur Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit e edhe Rregulloren e Punës së Këshillit të Fakultetit, kur është ngritur në gradën e profesorit të rregullt.
Këtë Hajrullahu nuk e ka mohuar në një përgjigje dërguar KOHËS.
Ai ka theksuar se rasti i tij do të trajtohet vetëm nëse pranon opinion nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.