Vetëm brenda këtij viti, Gjykata e Apelit ka rikthyer në rigjykim dy raste të mëdha gjyqësore dhe një tjetër e ka ndryshuar, të gjitha këto vendime të shkallës së parë.
Por, të dhënat e Gjykatës së Apelit tregojnë se vetëm në Departamentin e Krimeve të Rënda rreth 13.5% aktgjykimeve të shkallës së parë vërtetohen dhe ndryshohen. Derisa 60% e ankesave refuzohen.
Deri në këtë periudhë kohore në departamentin e përgjithshëm - divizioni penal, janë vërtetuar dhe ndryshuar aktgjykimet e shkallës së parë deri në 14% , raporton KOHA.
Ndërsa në divizion civil rreth 58 % e lëndëve vërtetohen.
Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, thotë se çdo rast i prishur dhe i kthyer në rigjykim përbën shqetësim për të si kryetar, pasi që sipas tij këto gabime nuk duhet të përsëriten.
Megjithatë, ai thotë se më shumë është i shqetësuar me cilësinë e këtyre aktgjykime sesa me numrin e rasteve të kthyera në rigjykim nga Apeli.
Derisa në divizionin civil, shifrat e lëndëve që kthehen në rigjykim janë më të larta.
Numri i lëndëve të kthyera shkon deri në 25%.
Shala thotë se këtu gjyqtarët përballen me shumë vështirësi deri në marrjen e një aktgjykimi.
Megjithatë, shkeljet e shumta të dispozitave të procedurës penale, sipas Rreze Hoxhës nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, tregojnë për mungesën e seriozitetit dhe profesionalizmit të disa prej gjyqtarëve.
Në mars të këtij viti, Apeli kishte vendosur ta rikthejë në rigjykim procesin gjyqësor në rastin e njohur si FAN, ku ishte i përfshirë deputeti i LDK-së, Naser Osmani.
Ndërsa, në korrik të këtij viti, Apeli ndryshoi vendimet e shkallës së parë, duke marrë vendim dënues ndaj tre të akuzuarve në rastin Pronto, të cilët ishin shpallur të pafajshëm nga shkalla e parë.
Në po këtë muaj, Apeli me rreth 9 shkelje të dispozitave e ktheu në rigjykim procesin gjyqësor të njohur si “Syri i Popullit” .