Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara në Hagë ia ka shqiptuar një dënim të ri prej 15 vjetëve burgim Salih Mustafë.
Paneli ia ka shqiptuar Mustafës një dënim të unifikuar prej 15 vjetëve burgim, duke llogaritur këtu edhe kohën e kaluar në paraburgim.
"Paneli nxori vendimin e tij lidhur me përcaktimin e ri të dënimit të z. Mustafa në përputhje me rregullën 194(1)(b) të Rregullores. Vendimi ka ndjekur udhëzimet e vendimit të Panelit të Gjykatës Supreme të datës 29 korrik 2024, lidhur me kërkesën e z. Mustafës për mbrojtjen e ligjshmërisë, i cili anuloi dënimin e Mustafës prej 22 vjetëve burgim dhe ia ktheu çështjen përsëri Panelit të Apelit", thuhet në njoftimin e Apelit.
Salih Mustafa u arrestua më 24 shtator të vitit 2020, nën akuza për krime të luftës.
Ai u shpall fajtor më 16 dhjetor të vitit 2022 dhe iu shqiptua dënim prej 26 vjetëve burgim. Më 6 prill të vitit 2023, Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë gjithsej prej 207 mijë euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj tetë viktimave në këtë çështje. Mustafa e apeloi vendimin e shkallës së parë dhe dënimin e dhënë nga Trupi Gjykues.
Apeli ia kishte ulur dënimin Mustafës nga 26 vjet në 22 vjet burgim. Ndërkohë Mustafa apeloi edhe në Gjykatën Supreme të Dhomave të Specializuara. Gjykata e anuloi vendimin prej 22 vjetëve burgim dhe e ktheu rastin në rivendosje. E të martën Apeli në rivendosje e caktoi dënimin prej 15 vjetëve burgim.