Arbëri

Anulohet konkursi për drejtor të përgjithshëm të RTK-së

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës ka anuluar konkursin për Drejtor të Përgjithshëm të këtij mediumi.

Këtë vendim e ka konfirmuar kryetarja e Bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi, e cila ka thënë se kandidatët nuk i kanë plotësuar kriteret për të qenë drejtor i RTK-së, raporton KTV.

“Bazuar në Udhëzimin Administrativ Nr.07/2017 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik, sot me datë 11.12.2018 Komisioni vlerësues i Bordit të RTK-së është takuar me qëllim të vlerësimit të aplikacioneve të kandidatëve për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së.

Komisioni Vlerësues pas vlerësimit të aplikacioneve ka vlerësuar se së paku tre (3) kandidatë nuk i kanë plotësuar kushtet e parapara me konkurs publik, andaj duke u mbështetur në Nenin 6 paragrafi 5, pika 1, të Udhëzimit Administrativ Nr.07/2017 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik Komisioni vlerësues Bordi i RTK-së, merr vendim unanim, me të cilin, Konkursi publik për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së duhet të rishpallet në afat ligjor.”

Konkursi për Drejtor të Përgjithshëm të transmetuesit publik ishte shpallur më 19 nëntor.