Komuna e Fushë-Kosovës e ka anuluar paraditen e së premtes një konkurs për mësimdhënës të lëndës së Fizikës dhe për Gjuhë angleze duke u arsyetuar se nuk ka punuar uebfaqja zyrtare e Komunës. Megjithatë, konkursi është rishpallur pasdite. Kjo ka nxitur reagimin e opozitës.
“Sipas nenit 6 të UA 07/2017, Drejtoria për Arsim anulon konkursin me nr. 763 dhe 766 të datës 28.07.2023, i publikuar në webfaqe të Komunës së Fushë-Kosovës, për vendin e punës-mësimdhënës i fizikës dhe mësimdhënës i gjuhës angleze, për arsye teknike të mosfunksionimit të faqes zyrtare të Komunës së Fushë-Kosovës, gjë që e ka pamundësuar informimin me kohë të kandidatëve për t’iu nënshtruar intervistës. Njoftojmë të gjithë kandidatët se konkursi do të shpalle brenda 8 ditëve”, thuhet në dy njoftimet e Drejtorisë për Arsim që i ka publikuar në Facebook.
Pasdite e njëjta Drejtori e ka publikuar njoftimin për rishpallje të konkursit për të njëjtit mësimdhënës.
KOHA i ka adresuar pyetje zyrtarëve komunalë, por deri në momentin e raportimit nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërkohë, këshilltari komunal nga radhët e LVV-së në Fushë-Kosovë, Vlonjat Hasani, i cili ka reaguar edhe në rrjete sociale, i ka thënë KOHËS se kjo nuk është arsyeja e vërtetë e anulimit të këtij konkursi. Sipas tij, pas reagimit të tyre, ku thotë se e kanë vërtetuar se uebfaqja e komunës është funksionale, është rishpallur edhe konkursi.
“Unë po dyshoj që ky konkurs është anuluar për tjera arsye, pasi ne jemi mësuar me metodën e këtij ekzekutivi që e përdor për punësimet sa i përket fushës së arsimit. Ata punësojnë mësimdhënës në arsim duke u bazuar në listat e tyre të përgatitura edhe para fushatës zgjedhore për militantët e tyre partiakë, për premtimet e partnerëve të koalicioneve që ata i bëjnë e që jo rrallëherë kandidatët të cilët pranohen ndodhë që jetojnë jashtë komunës së Fushë-Kosovës”, ka thënë Hasani. “Kemi raste të shumta që kandidatët të cilët janë profesionistë të fushave të caktuara e që janë rezidentë të Komunës së Fushë-Kosovës nuk pranohen për shkak se nuk janë të profileve partiake të partisë në pushtet. Dyshimi im personal është që edhe ky konkurs është anuluar për shkak se sigurisht kandidatët të cilët ‘do të duhej’ të pranoheshin nuk kanë arritur nivelin e pritshmërisë për t’u pranuar në këto pozita”.
Kuvendari i LVV-së ka thënë se metoda e këtij ekzekutivi, sipas tij, “tashmë është e njohur që në momentin kur nuk i arrijnë objektivat e veta i anulojnë konkurset në mënyrë që kur t’i rishpallin të mund t’i shtyjnë kandidatët që dëshirojnë”.
“Ajo që e dëshmon metodën e keqe të qeverisjes së këtij ekzekutivi është se paradite e anuluan këtë konkurs dhe pas reagimit tonë dhe demantimit të arsyetimit të tyre, pasdite e shpallën konkursin po për këto pozita. Shqetësuese është se ata të cilët më së shumti humbin janë nxënësit të cilët kanë nevojë për mësimdhënësit në lëndët e caktuara”, është shprehur ai.