Arbëri

Antiterrori u ndalon hyrjen në Shqipëri dy iranianëve

Një grua dhe një burrë, të lindur në Iran, me shtetësi gjermane, pasi kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit, u është ndaluar hyrja në Shqipëri.

Top Channel mëson se Afshin Kalantarit bashkë me Soltani Batool u është refuzuar hyrja dhe u është kërkuar kthimi nga kishin udhëtuar për në Gjermani.

Ata kanë refuzuar ta bëjnë këtë dhe janë mbajtur 72 orë në aeroport e më pas janë deportuar në Gjermani.

Policia e kufirit ka njoftuar Drejtorinë e Antiterrorit në Policinë e Shtetit menjëherë sapo dy iranianët kanë paraqitur një ftesë nga shoqata ASILA e krijuar për të ndihmuar iranianët që jetojnë në Shqipëri.

Rreth kësaj shoqate janë bashkuar ata të cilët kanë dezertuar MEK.

Në ftesë thuhej se Afshin Kalantari dhe Soltani Batool do të merrnin pjesë një ceremoni të mikut të tyre iranian, ardhur në Shqipëri nga Gjermania.

Dy javë më parë me urdhër të prokurorëve të SPAK zyrat e ASILA-s u kontrolluan prej oficerëve të BKH-së.

Shoqata ASILA është vënë nën hetim për lidhje me regjimin e Iranit dhe veprimeve që synojnë cenimin e sigurisë të anëtarëve të MEK-ut të strehuar në Shqipëri.

Ndalimi i dy iranianëve me shtetësi gjermane vjen një javë më pas nga anulimi i samitit vjetor të opozitës iraniane për arsye sigurie.

Ky nuk është rasti i parë që nga Shqipëria dëbohen iranianë me pasaporta gjermane.

Në vitin 2018 Policia e Shtetit tha se parandaloi një sulm terrorist tek kryegjyshata bektashiane.

Iranianët me inicialet F. Z 65 vjeç dhe S.M. 59 vjeç u ndaluan nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe njësia e anti-terrorit në policinë e shtetit.

Ata kishin pasaporta gjermane.

Momentin e ndalimit dy iranianët ishin duke bërë foto dhe u thanë oficerëve të anti-terrorit se ishin gazetarë dhe kishin ardhur me ftesë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.

Një vit më pas, drejtori atëhershëm i policisë së shtetit Ardi Veliu deklaroi se “Celula terroriste i përket njësisë së operacioneve të jashtme të Forcave QUDS, një njësi operacionale e konsideruar si klandestine dhe sekrete, e cila është përgjegjëse për planifikimin dhe zbatimin e aktivitetit terrorist jashtë Iranit”.

Të gjithë iranianët që mbërrinë në të pikat kufitare hyrëse të Shqipërisë i nënshtrohen kontrolleve të shumëfishta për të dedektuar e parandaluar hyrjen e agjentëve të njësisë operacionale sekrete QUDS./TCH