Eksponentë të partive opozitare vazhdimisht e kanë akuzuar kryeministrin Albin Kurti si antiamerikan. Njohësit presin që akuza të sforcohet gjatë fushatës zgjedhore, meqë garën presidenciale në SHBA e ka fituar Donald Trumpi, një nga bashkëpunëtorët e të cilit është parë si shkaktar për rrëzimin e Kurtit në mandatin e parë. Megjithëkëtë, ata nuk presin që kjo të ketë ndikim në rezultatin zgjedhor.
Rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara pritet të përdoret nga partitë politike gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë, për ta atakuar njëra-tjetrën, thonë njohës të çështjeve politike.
Eksponentë të partive opozitare vazhdimisht e kanë akuzuar kryeministrin Albin Kurti si antiamerikan. Diskursi nisi pas raporteve që u krijuan gjatë presidencës së parë të Donald Trumpit, i cili angazhoi Richard Grenellin si të dërguar për dialogun Kosovë-Serbi. Akuzë të përafërt ndaj Kurtit ka lansuar edhe vetë Grenell, i cili pritet të ketë pozitë me peshë në administratën e re amerikane.
Njohësi i çështjeve politike, Basri Muja, ka thënë se kthimi i Trumpit në pushtet, e bashkë me të edhe i Grenellit, që mund të emërohet si sekretar apo këshilltar për sigurinë kombëtare, do t’i shtyjë partitë opozitare ta sforcojnë akuzën ndaj Kurtit.
“Nuk e përjashtoj mundësinë që partitë posaçërisht partitë e opozitës do të tentojnë që ta materializojnë rezultatin e zgjedhjeve në SHBA, por që nuk besoj se ajo do të ketë ndikim të madh. Sepse, nëse e krahasojmë situatën e tanishme me situatën e para 4 vjetëve, mendoj që ka qenë një gjendje krejt tjetër dhe nuk shoh shumë relacione”, ka thënë Muja.
Fitorja e Trumpit do të përdoret në fushatë, thotë edhe njohësi tjetër politik, Seb Bytyqi. Por, sipas tij, kjo nuk pritet të ketë efekt direkt në rezultat.
“Nuk mendoj që do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë, mirëpo mund të ketë ndikim në fushatë, sepse disa parti mund të definojnë fushatën e tyre në bazë të raporteve të pretenduara që i kanë me partitë në SHBA dhe gjithashtu në bazë të lidhjeve emocionale me marrëveshjet e nënshkruara më herët, që në fakt është një gabim logjik”, është shprehur Bytyqi.
Në mandatin e parë të Qeverisë Kurti, LDK-ja doli nga koalicioni që e kishte me LVV-në, nën arsyen për prishje raportesh me SHBA-në. Atëkohë, Kurti refuzoi kërkesën e Grenellit për një marrëveshje me Serbinë.
Pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, kryeministër u bë Avdullah Hoti, i cili pranoi ta firmosë një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë, bashkë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, por e cila nuk ka gjetur zbatim.