Edhe pse tash e sa vjet janë jashtë funksionit të tyre, pas ardhjes së rrjeteve kabllore, antenat satelitore nuk gjejnë përdorim te qytetarët.
Megjithatë ato ende janë prezente në lagjen “Dardania”, përveç që nuk duken bukur estetikisht ato po paraqesin edhe rrezik për qytetarët.
Sidomos kur në kohën kur në kryeqytet ka erëra të forta pothuajse çdo ditë.
Edhe vetë qytetarët e Dardanisë po ndihen të rrezikuar duke theksuar nevojën për heqjen e tyre nga komuna.
Madje ka pasur edhe raste kur zjarrfikësit është dashur të intervenojnë pas erërave pasi antenat kanë rrezikuar t’iu bien në kokë qytetarëve.
“Kemi pasur raste mirëpo nuk ka qenë edhe ndonjë numër shumë i madh të cilin mundemi ta potencojmë”, tha Malë Gashi, zv.komandant i Brigadës së Zjarrfikësve.
Në vitin 2022, Drejtoria e Shërbimeve Publike pati nxjerrë një vendim për heqjen e tyre, mirëpo siç duke vendimi nuk është zbatuar.
Të rrezikshme po i sheh edhe drejtori për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica.
Ai zotohet se së bashku me drejtorin e Shërbimeve Publike, do ta hartojnë një rregullore për largimin e antenave.
Në prill të vitit 2022, Komuna e Prishtinës u kishte dhënë qytetarëve afat prej 90 ditësh për largimin e këtyre antenave satelitore, në të kundërtën, ata do të intervenonin së bashku me Inspektoratin e kryeqytetit.
Në vitin 2009, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka dalë me një rregullore me anë të së cilës qytetarët duhej të paguanin për mbajtjen e satelitëve që shfrytëzonin hapësirat publike.
Vite më vonë është marrë vendimi për largimin e tyre.