Arbëri

Ankesat në OSHP shtyjnë ndërtimin e gjimnazit “Bedri Pejani”

Projekti për ndërtimin e objektit të ri të gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë qe pesë muaj gjendet në procedurë të tenderimit. Autoritetet komunale kanë caktuar vendin ku është paraparë të ndërtohet objekti, porse ende nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret për realizimin e tij.

Në muajin shtator ishte shpallur tenderi në vlerë prej 2 milionë e 269 mijë eurosh, por pas përzgjedhjes së operatorit fitues në muajin nëntor, OSHP-ja e ka kthyer tenderin në rivlerësim pas ankesave.

Edhe pas rivlerësimit, me pretendimet se autoriteti kontraktues ka shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, sërish janë ankuar disa operatorë në Gjykatën e Tenderëve, ku gjendet tash lënda.

Në Komunën e Pejës e mohojnë se ka pasur shkelje në këtë tender.

“Autoriteti kontraktues nuk ka shkelur dhe bën përpjekje maksimale për mos me shkelë ligjin dhe mos me bë asnjë kundërvajtje gjatë procedimit të vlerësimit të ofertave”, ka deklaruar Xhemë Berisha, menaxher i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Pejës.

Procedurat e tenderimit të këtij projekti dyvjeçar Komuna i kishte nisur pa siguruar fillimisht të gjitha mjetet. Në Komunë pohojnë se tash nuk do të ketë probleme për financim të këtij projekti, i cili financohet i tëri prej të hyrave vetjake.

“Financiarisht jemi të mbuluar. Dhe nëse lidhet shpejt kontrata me operatorin ekonomik, ne kemi mundësinë financiare me bartje të mjeteve që të plotësojmë shumën për ndërtimin komplet të gjimnazit”, ka thënë Jeton Abazaj, drejtor i Financave.

Drejtuesit e gjimnazit shpresojnë që objekti i ri të jetë i gatshëm në shtator të vitit të ardhshëm.

“Në kuadër të kësaj periudhe dyvjeçare ne do t’i bëjmë të gjitha përgatitjet që të fillojë një vit kalendarik në atë periudhë kohore, kur do të jetë edhe ndërtimi i objektit i përfunduar. Shpresojmë që përfundimi do të jetë në kohë”, është shprehur Musa Nikçi, drejtor i gjimnazit “Bedri Pejani”

Ndërtimi i objektit të ri të gjimnazit ka qenë premtim i kryetarit të Komunës, Gazmend Muhaxheri, gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2017.