Nga rreth 200 ankesa sa janë bërë vitin që shkoi nga pacientët në Ministrinë e Shëndetësisë e në Institucionin e Avokatit të Popullit për cenim të së drejtave shëndetësore, përgjigje kanë marrë vetëm rreth 50 prej tyre. Prej tyre vetëm në dy raste nga këto ankesa u ndërmorën masa. E njohës të politikave shëndetësore thanë se mospërgjigjja e institucioneve përgjegjëse ndaj ankesave ndikon në humbjen e besimit të qytetarëve
Prej 164 ankesave të pacientëve që janë adresuar në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë vitit të shkuar, 119 prej tyre nuk kanë marrë përgjigje nga ky institucion.
E sipas raportit të publikuar nga MSH-ja, adresimet e qytetarëve u takojnë natyrave të ndryshme.
“Ankesat e drejtuara në linjë ishin si në vijim: mungesë stafi në vend pune; sjellje joprofesionale e stafit shëndetësor; pritje të gjata për terminë si në Ortopedi, Kirurgji, ambulanca specialistike të ndryshme”, thuhet në raport.
Të pyetur për rastet që nuk kanë marrë përgjigje, në Ministri të Shëndetësisë nuk kthyen përgjigje.
E në raport thuhet se vetëm në dy raste kjo ministri ka ndërmarrë hapa pas pranimit të ankesës.
Në njërin rast është shqiptuar gjobë dhe në tjetrin vërejtje me gojë.
Ankesa të pacientëve për cenim të së drejtave shëndetësore janë bërë edhe në Institucionin e Avokatit të Popullit.
Për vitin 2024, ekzistojnë 19 ankesa të qytetarëve për mosmarrje të shërbimeve shëndetësore, 13 prej së cilave janë aprovuar brenda këtij institucioni.
“Ndër sfidat kryesore me të cilat janë përballur qytetarët dhe institucionet shëndetësore gjatë vitit 2024 janë: mungesa e barnave nga lista esenciale, pritja e gjatë e qytetarëve për të marrë disa lloje shërbimesh në institucionet shëndetësore, shpenzimet e larta nga xhepi i qytetarëve për mjekimin e tyre brenda dhe jashtë vendit, vdekshmëria e foshnjave, mungesa e sigurimit shëndetësor dhe buxheti i pamjaftueshëm për institucione shëndetësore”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit.
Numrin e ankesave të pacientëve nëpër institucionet shëndetësore po e konsideron të ulët njohësi i politikave shëndetësore Vlorian Molliqaj.
Sipas tij, nëse vazhdon ky trend, numri i tyre do të bjerë edhe më shumë.
“Nëse i shohim këto raporte, jo vetëm të fundit por edhe viteve të kaluara, bie në sy që diku rreth 30 për qind është shkalla e adresimit të ankesave, e që është shumë pak. Por ajo që është ndoshta edhe më e rëndësishme se adresimi është edhe numri i ankesave, sepse në të gjithë Kosovën i kemi më pak se 200 ankesa”, ka thënë Molliqaj.
Molliqaj ka thënë se mospërgjigjja e institucioneve përgjegjëse ndaj ankesave ndikon në humbjen e besimit të qytetarëve në sistemin e shëndetësisë.
“Një efekt shumë i shpejtë besoj që është humbja e besimit për ankesë si veprim i parë. Domethënë nëse qytetarët ankohen dhe nuk marrin kurrë një përgjigje se çfarë ka ndodhur me ankesën e tyre, ata më kurrë nuk do të ankohen... Efekti i dytë besoj se ndikon drejtpërdrejt në humbjen e besimit në institucione në përgjithësi”, ka thënë ai.
Gjatë vitit 2023 numri i ankesave të adresuara të pacientëve në MSH ishte për 50 më i lartë se i atyre të vitit 2024.