Arbëri

Ankesa për shkelje ligjore në tenderin ku u shpall fituese kompania e zv.drejtorit të AQP-së

Dyshime për shkelje ligjore e për prezantim të dokumenteve fiktive kanë shprehur dy kompani konkurruese në tenderin e QKUK-së, ku fitues është shpallur konsorciumi, pjesë e të cilit është edhe kompania EURO- SERVICES Sh.P.K. me pronar zëvendësdrejtorin e Agjencisë Qendrore të Prokurimit, Behgjet Rrukiqi. Tenderi për “ndërtimin e objektit për klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologj” është në fazën e shqyrtimit, por eksperti shqyrtues ka kërkuar që të hidhen si të pabazuara ankesat e operatorëve ekonomikë. Ndërkohë, për tenderin “rinovimi i objektit të Onkologjisë” eksperti shqyrtues e ka vlerësuar si të bazuar ankesën e një operatori dhe lënda është kthyer në rivlerësim

Prezantim të dokumenteve fiktive nga konsorciumi fitues e shkelje ligjore nga Autoriteti Kontraktues (QKUK) dyshohet se janë bërë në tenderin për “ndërtimin e objektit për klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji”. Për këtë tender Autoritetit Kontraktues (QKUK) e kishte rekomanduar për kontratë grupin e operatorëve ekonomikë AAG PROJET, TOP PROJEKT SH.P.K., EURO-SERVICES SH.P.K. dhe EGO ELSA SH.P.K.), pjesë e të cilit është edhe “EURO-SERVICES” Sh.P.K me pronar Behgjet Rrukiqin, njëherësh zëvendësdrejtor i Agjencisë Qendrore të Prokurimit. Vlera me të cilin ka konkurruar ky grup i operatorëve është 4,299,293.31 euro.

Dy kompani që ishin në garën për këtë tender nuk janë pajtuar me vendimin e Autoritetit Kontraktues dhe kanë ushtruar ankesë në OSHP.

“OSHP ju njofton, se lidhur me aktivitetin e prokurimit ‘ndërtimi i objektit për klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji’ Nr. i prokurimit 701-23-1939-5-1-1, ka pranuar dy ankesa - Ankesën me Nr. të protokollit 701/2023 të parashtruar nga OE ‘H&B – Consulting’ SH.P.K dhe ankesën me Nr. të protokollit 706/2023 të parashtruar nga OE ‘Limit Project’ SH.P.K.”, thuhet në përgjigjet e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Dyshimet e operatorëve ekonomikë

Përfaqësuesit e kompanisë “Limit Project” Sh.P.K. pretendojnë se Autoriteti Kontraktues (QKUK) e ka shkelur Ligjin e prokurimit publik me rastin e eliminimit të saj nga kjo garë. Në ankesën që është publikuar edhe në ueb-faqen e OSHP-së shkruan se ky operator ekonomik (OE) ankues konsideron se janë shkelur nenet 1- Qëllimi, neni 6 - Ekonomiciteti dhe efikasiteti, neni 7- Barazia në trajtim/Jo-diskriminimi, neni 59 - Ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve, neni 60 - Kriteret për dhënie të kontratës, neni 66 - Përshtatshmëria profesionale, neni 69 - Aftësia teknike dhe/ose profesionale dhe neni 72- Dokumentacioni dhe informacioni shtesë.

Në një përgjigje për KOHËN kjo kompani dyshon edhe për prezantim të dokumenteve fiktive nga operatori ekonomik fitues.

“Ne kemi bërë ankesë te Autoriteti Kontraktues, pasi që Grupi OE i shpallur fitues nga AK-ja nuk i plotëson kriteret, pasi që ka dyshime që ka dokumente të cilat janë fiktive, të cilat na i kemi paraqitur ankesë te Autoriteti Kontraktues. Por, AK-ja nuk i ka shqyrtuar fare dhe i ka refuzuar. Kurse sa i përket ekspertit të OSHP-së, në momentin që ne kemi paraqitur dyshime për dokumentet fiktive ai është dashur të vërtetojë deri në fund, por çuditërisht ai e ka dhënë mendimin sikur Autoriteti Kontraktues”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Limit Project”.

Përfaqësuesit e saj tregojnë se si e kanë kundërshtuar edhe vendimin e ekspertit shqyrtues.

“Ne qëndrojmë prapa ankesës tonë në OSHP, dhe po të vendoset drejt nga paneli i OSHP-së, kjo kompani nuk mund të marrë këtë projekt pasi që nuk i plotëson dosjen e tenderit. Por OSHP-ja, konkretisht V.P. (anëtar i OSHP-së) vendimet e tij janë skandaloze dhe mendojmë se po nuk e vlerësoi ai lëndën, do të anulohet vendimi i Autoritetit Kontraktues”.

Edhe operatori tjetër ekonomik ankues “H&B Consulting” Sh.P.K. konsideron se AK-ja ka shkelur nenin 1 paragrafi 1 dhe 2, nenin 2, 6, 7, 24 paragrafi 2 dhe 3, pastaj neni 52 paragrafi 5 dhe 7, neni 56, neni 59 pragrafi 1, 2 dhe 4, neni 60, 72, 108/A paragrafi 8 dhe 12 të Ligjit për Prokurimin Publik. Pastaj neni 38, 39, 40.3, 40.6, 40.9, 40.12, 45.19, 45.21, 45.23 të Rregullores 001/2022 për PP, neni 48 i Ligjit 05/L-031 për procedurën e përgjithshme administrative dhe neni 40 i Rregullores Nr. 01/2022 për PP ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve.

“Ankesën tonë e kemi dorëzuar në OSHP për të gjitha shkeljet e Autoritetit Kontraktues - QKUK, ku aty mund t’i shihni të gjitha shkeljet dhe favorizimet për këtë tender. Duke parë shkeljet dhe refuzimin për rishqyrtim të vendimit nga ana e AK-së, po konsiderojmë se ka pasur ndikim dhe favorizim të hapur që të shpallet fitues ky konsorcium pasi që ka shkelje ligjore dhe dëmtim buxheti...”, thuhet në përgjigjet e “H&B Consulting”.

Shkarko dokumentin (Operatori ekonomik “Limit Project” SHPK nuk është pajtuar me vlerësimin e ekspertit shqyrtues lidhur me tenderin “Ndërtimi i objektit për klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji”. Përfaqësuesit e kësaj kompanie thonë se as Autoriteti Kontraktues (SHSKUK) e as eksperti shqyrtues nuk i kanë marrë parasysh dyshimet e tyre se OE i rekomanduar për kontratë ka prezantuar dokumente fiktive)

Kundërshtimi i vlerësimit të ekspertit shqyrtues

Lidhur me pretendimet e OE-ve ankuese, KOHA ka dërguar pyetje në adresë të kompanisë “EURO-SERVICES” Sh.P.K. dhe po ashtu ka kontaktuar Ekrem Sadikun, drejtor menaxhues. Sadiku ka thënë se gjatë ditës ka qenë i zënë me punë të tjera dhe nuk ka treguar se kur do të përgjigjen.

Ndërkohë, dy ankesat e OE-ve janë vlerësuar si të pabazuara nga eksperti shqyrtues.

“Eksperti teknik vlerëson se pretendimi ankimor i kompanisë ‘LimitProject’ nuk ka baza, pasi oferta e tyre nuk përmbush kërkesat e specifikimeve teknike të dosjes së tenderit në lidhje me pajisjet sanitare të dedikuara për spitale, prandaj bazuar në shpjegimin e mësipërm pretendimi ankimor është i pabazuar”, thuhet në vlerësimin e ekspertit shqyrtues.

Edhe ankesën e operatorit tjetër ekonomik e ka refuzuar si të pabazuar. Por, përfaqësues të “H&B Consulting” Sh.P.K. thonë se e kanë kundërshtuar këtë vlerësim.

“Ne e kemi kundërshtuar këtë raport të ekspertit pasi nuk është profesional dhe nuk i ka shqyrtuar shkeljet ligjore dhe besojmë që paneli i OSHP-së do t’i ketë parasysh argumentet tona dhe lënda do të kthehet në rivlerësim”.

OSHP-ja në përgjigje të saj ka thënë se vendimmarrja brenda këtij institucioni bazohet në vlerësimin e të gjitha fakteve dhe provave të prezantuara nga palët në procedurë në relacion me kërkesat e vendosura nga AK-ja në dosjen e tenderit dhe nuk varet nga individë të caktuar, si në rastin konkret (Behgjet Rrukiqi v.j.).

“Ju informojmë se në kuadër të kompetencave që LPP i njeh OSHP-së, nuk është në diskrecionin e saj që të vlerësohet konflikti eventual i interesit, sepse këtë përgjegjësi e kanë autoritetet tjera të përcaktuara me ligje kompetente që funksionojnë në Kosovë”, thuhet në përgjigjet e OSHP-së.

Shkarko dokumentin (Eksperti shqyrtues e ka vlerësuar të pabazuar ankesën e OE “H&B Consulting” SHPK lidhur me tenderin “Ndërtimi i objektit për klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji” që ishte rekomanduar për kontratë Grupi i OE-ve, në të cilën bën pjesë edhe kompania e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Qendrore të Prokurimit. Vlera me të cilën ka garuar ky grup operatorësh i rekomanduar për kontratë është 4,299,293.31 euro. Lënda është ende në shqyrtim)

Tenderi për rinovimin e Klinikës së Onkologjisë në rivlerësim

Ankesë ka pasur edhe në tenderin tjetër të QKUK që ka të bëjë me rinovimin e Klinikës së Onkologjisë, e ku fitues ishte shpallur Grupi i OE-ve: EGO ELSA SHP.K., EURO-SERVICES SH.P.K., AR TECH SH.P.K dhe TOP PROJEKT SH.P.K. Vlera me të cilën ka konkurruar ky grup i OE-ve është 557,014.80 euro.

Eksperti shqyrtues e ka vlerësuar si të bazuar ankesën e “Termomontim” SH.P.K, dhe këtë aktivitet të prokurimit kishte vlerësuar se duhet të kthehet në rivlerësim.

“Lidhur aktivitetin e prokurimit me titull ‘Rinovimi i Klinikës së Onkologjisë i QKUK-së’ Nr. i prokurimit 00220-23-5359-5-1-1, OSHP ka pranuar një ankesë me Nr. të protokollit 624/2023, të parashtruar nga OE ‘Termomontimi’ SH.P.K. OSHP në pajtim me nenin 113 të LPP-së ka autorizuar ekspertin shqyrtues i cili ka dorëzuar raportin e ekspertizës më 05.09.2023, me rekomandimet që ankesa e operatorit ekonomik të aprovohet si e bazuar kurse vendimi i atakuar i autoritetit kontraktues të anulohet dhe lënda të kthehet në rivlerësim”, thuhet në përgjigjet e OSHP-së. “Pas pranimit të përgjigjeve nga palët, sipas LPP-së, që të dyja palët (AK dhe OE) kanë deklaruar se pajtohen me raportin. Paneli ka konstatuar se procedura e shqyrtimit përfundon në këtë fazë, në kuptim të pajtimit (marrëveshjes) së arritur në kuptim të nenit 115 te LPP-së lidhur me nenit 19 paragrafi 4 të Rregullores së Punës të OSHP-së Nr. 01/2020 (e amandamentuar). Për më tepër me anë të këtij vendimi, palët informohen që ky vendim ka karakter procedural, kurse autoriteti ka për obligim t’i zbatojë gjetjet në raportin e ekspertit shqyrtues, gjegjësisht kjo lëndë tani gjendet në rivlerësim tek AK”.

KOHA i ka dërguar pyetje OE “Termomontimi” SH.P.K., por ende nuk ka pranuar përgjigje.

Javën e kaluar KOHA ka raportuar se si Behgjet Rrukiqi, zëvendësues i drejtorit të përgjithshëm në Agjencinë Qendrore të Prokurimit Publik (AQP) është bërë pronar i një kompanie private. Pak muaj pasi kishte marrë pronësinë nga vëllai i tij, ka fituar edhe tenderë publikë. Prokurimi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për dy tenderët e lartcekur i ka shpallur fitues dy grupe operatorësh ekonomikë, ku bën pjesë edhe kompania “EURO-SERVICES” SH.P.K, pronar i së cilës është Rrukiqi. Vlera e këtyre tenderëve është afro 5 milionë euro.

Behgjet Rrukiqi e kishte pranuar se është pronar i kësaj kompanie. Por, sipas tij, pronësinë e ka “trashëguar” nga vëllai Xhevdet Rrukiqi nga 31 janari i këtij viti. Duke qenë edhe zëvendësues i drejtorit të AQP-së, ai e kishte mohuar se mund të ketë ushtruar ndikim që të shpallet fituese Grupi i OE-ve ku bën pjesë edhe kompania e tij. Këtë kompani, Rrukiqi nuk e ka të deklaruar në formularin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit. Arsyeja, sipas Rrukiqit, është se deklarimi përfshin periudhën deri më 31 janar të vitit të kaluar, kurse ai thotë se është bërë pronar një muaj pas. Megjithatë, në APK kanë thënë për KOHËN se mund të fillojnë kontrollin e plotë të deklarimit të pasurisë të këtij subjekti deklarues.

Shkarko dokumentin (Kërkesa për rishqyrtim e OE “Termomontimi” SHPK për tenderin “Rinovimi i objektit të Onkologjisë”, që ishte refuzuar nga Autoriteti Kontraktues (SHSKUK), është vlerësuar e bazuar nga Paneli Shqyrtues i OSHP-së dhe lënda është kthyer në rivlerësim. Për këtë tender SHSKUK-ja e kishte rekomanduar për kontratë Grupin e OE-ve, pjesë e të cilit është edhe “EURO-SERVICES” SHPK me pronar Behgjet Rrukiqin)