Arbëri

Ankesa për pritje të gjata për t’u pajisur me dokumente në ARBK

Përfaqësues të bizneseve ankohen se për t’u pajisur me dokumente në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve detyrohen që të presin me orë të tëra. Ata thonë se përkundër njoftimit me email për tërheqjen e dokumenteve, detyrohen të marrin numër për pritje në radhë dhe të presin gjatë për të marrë shërbimin. Në ARBK thonë se nuk kanë pranuar ankesa

Brenda një dite Adonis Sinidolli u detyrua të paraqitej dy herë në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) për t’u pajisur me një dokument.

Por ai, si përfaqësues i një biznesi privat, u kthye mbrapshtë pa kryer punë.

Pavarësisht pritjes disaorëshe në radhë, ai i nervozuar tregon se nuk arriti të merrte certifikatën e biznesit.

“Herën e parë nuk është ai zyrtari që kam bërë aplikimin dhe kur nuk është ai nuk mund të bëjmë tërheqjen se vetëm ai duhet të jetë dhe më thanë se pas gjysmë ore, se ai e ka një punë private. Pas gjysmë ore mundesh me ardhë. Unë erdha pas një ore dhe prapë ai zyrtari nuk është këtu”, ka thënë Sinidolli.

Me probleme të tilla po përballen edhe përfaqësues të tjerë të bizneseve. Ata thonë se çdo ditë detyrohen që të presin me orë të tëra, shkaku se aty punojnë pak zyrtarë dhe nuk arrijnë që të kryejnë punë.

Në kushte anonimiteti, disa nga ta u ankuan se kur paraqiten në mëngjes, marrin numrin rendor, por zyrtarët arrijnë t’i kryejnë vetëm 20 palë dhe më pas detyrohen që të kthehen ditën tjetër.

Por në ARBK thonë se për vonesa nuk kanë pranuar ankesa me shkrim nga bizneset. Sipas një përgjigjeje të këtij institucioni, zyrtarët janë duke i kryer lëndët brenda afatit ligjor, pavarësisht volumit të madh të kërkesave për regjistrim dhe ndryshim të dhënash.

“ARBK-ja vazhdimisht pranon thirrje telefonike nga bizneset që kërkojnë përshpejtim të procedurës për regjistrimin e bizneseve, por këto raste nuk janë si pasojë e vonesave të krijuara nga zyrtarët e ARBK-së, por kryesisht për shkak të mangësive dhe lëndëve të pakompletuara, ku pastaj përmes njoftimit elektronik të ARBK-së palët njoftohen për përmirësimet që duhet të bëhen që lënda të procedohet më tutje”, thuhet në përgjigjen e ARBK-së.

Por një raport i ARBK-së flet edhe për vonesat për regjistrim të bizneseve. Sipas tij, ka një rritje të kohëzgjatjes së regjistrimit të shoqërive tregtare, nga 3 ditë sa ishte vitin e kaluar, në 4 ditë këtë vit. E, sa u përket shoqërive me përgjegjësi të kufizuara, mesatarja e kohës për regjistrim është 5 ditë.