Arbëri

Ankaraja mbështet çdo ujdi që sjell paqe dhe stabilitet në Ballkan

Turqia angazhohet për shtimin e numrit të njohjeve anembanë botës për Kosovën, sikurse edhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë mbështet edhe çdo nismë që i kontribuon paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Ballkan, ka bërë të ditur ambasadori Sabri Tunç Angılı gjatë vizitës, të mërkurën në Prizren

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, të mërkurën, ka bërë të ditur se Ankaraja zyrtare mbështet çdo ujdi mes Kosovës dhe Serbisë që i kontribuon paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Ballkan.

Po ashtu, ka sqaruar se pozicioni i shtetit të tij karshi Kosovës është i qartë, ku krahas njohjes mbështet edhe forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

“Qëndrimi i Turqisë është gjithmonë për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në Ballkan, prandaj nëse ky proces i dialogut hap rrugën për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet, ne e mbështesim fuqishëm. Qëndrimi ynë sa i përket Kosovës është i qartë, ne e njohim shtetësinë e Kosovës dhe përkrahim përpjekjet e saj për të rritur numrin e njohjeve, si nga shtetet, ashtu edhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë Sabri Tunaç Angili, ambasador.

Gjatë vizitës së tij të parë në Komunën e Prizrenit, diplomati turk ka shprehur mirënjohjen për qytetarët e Prizrenit dhe të Kosovës për solidaritetin e treguar pas tërmetit shkatërrimtar në Turqi, si dhe gatishmërinë për bashkëpunim në sfera të ndryshme.

“Ne kemi lidhje të forta me qytetarët e Prizrenit dhe të Kosovës gjithashtu, dhe ka mjaft mundësi për bashkëpunim në fusha të ndryshme, si në kulturë, ekonomi, turizëm, për t’i zhvilluar tutje marrëdhëniet tona, sikurse edhe lidhjet e Prizrenit me qytetet në Turqi”, ka thënë ai.

Kryetari Shaqir Totaj ka pohuar se Kosova ka relacione shumëdimensionale me Turqinë, ndërkohë që komuniteti turk në Prizren është urë lidhëse për to.

“Dhe jam shumë i sigurt se bashkëpunimi ynë në të ardhmen do të rritet dhe do të sjellë vlera të reja për të dyja palët dhe do të sjellë kualitet të ri të jetës për qytetarët e Prizrenit”, ka thënë Totaj.

Kuvendi i Komunës së Prizrenit javë më parë ka marrë vendim që të mbështesë me 10 mijë euro zonat e prekura nga tërmeti në Turqi.