Arbëri

Anëtari i shkarkuar: Nuk bëni asgjë nëse kënaqeni vetëm me “fluturimin e Bordit të RTK-së”

Ish-anëtari i Bordit të RTK-së, Albinot Maloku, ka reaguar pas shkarkimit të këtij bordi ku ishte edhe vetë ai, nga Kuvendi i Kosovës të enjten.

Maloku ka thënë se u shkarkua pa u pyetur për veprimet e tij në bord dhe pa i dhënë arsye për shkarkimin. Ka shtuar se “të bëmat në transmetuesit publik janë shtresuar prej vitesh dhe përbërja aktuale e bordit ka mund të jetë impotente përballë këtyre shtresimeve”.

E, Kuvendi, thotë Maloku, nuk ka qenë bashkëpunues por më shumë gjykues i bordit. Ndryshimin për këtë ai nuk e pret me shkarkime të tilla që sipas tij ka qenë i ngutshëm.

“E ky ndryshim nuk ka për të ndodhur vetëm me yrysh-shkarkimin e ndodhur me 08.07.2021 dhe pa vlerësuar bëmat e anëtarëve të Bordit veç e veç, qoftë ata që u zgjodhën me 14.08.2020 e qoftë ata që ishin të emëruar më përpara. Ligjvënësit e legjislaturës aktuale nuk kanë bërë asgjë nëse kënaqen vetëm me “fluturimin e Bordit të RTK-së” e nuk angazhohen për të çuar sa më parë përpara premtimin për një Komision Hetimor Parlamentar për të bëmat në RTK. Edhe pse për së mbari do të duhej të themelohej ky komision, e më pastaj të ndodhnin ato që ndodhën në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.