Arbëri

Anëtarët joprokurorë të KPK-së s’i marrin shtesa 1,600-euroshe si ata të KGJK-së

Ndryshe nga Këshilli Gjyqësor ku anëtarët jogjyqtarë marrin dy lloj shtesash që në total arrijnë vlerën 1,911 euro, anëtarët jo prokurorë të Këshillit Prokurorial e marrin vetëm shtesën prej 20 për qind të pagës bazë të kryesuesit, e që është 346 euro. Shtesa të njëjta marrin edhe anëtarët prokurorë të këtij institucioni. Këto shtesa ky institucion i ka rregulluar me një dokument të brendshëm

Anëtarët joprokurorë të Këshillit Prokurorial (KPK), ndryshe nga ata të Këshillit Gjyqësor (KGJK) nuk marrin shtesa tranzitore në vlerë afro 1,600 euro në muaj. Ata marrin shtesa të njëjta sikur edhe anëtarët prokurorë, e që është 20 për qind e pagës së kryesuesit të këtij Këshilli, që i bie 346.50 euro.

Në këtë institucion, kanë thënë se kjo përcaktohet me Rregulloren për Shtesat dhe Kompensimet për të Punësuarit në Sistemin Prokurorial.

“Shuma e pagesës për anëtarët joprokurorë të KPK-së është e rregulluar sipas Rregullores Nr. 03/2023 për Shtesat dhe Kompensimet për të Punësuarit në Sistemin Prokurorial”, thuhet në përgjigjen e Njësisë për Komunikim Publik e Sekretariatit të KPK-së.

Në nenin 2 të kësaj Rregulloreje, thuhet se dispozitat e saj zbatohen për prokurorët e shtetit, anëtarët e Këshillit, komisionet e Këshillit dhe stafin administrativ në sistemin prokurorial të Kosovës. Po kështu, edhe për angazhimin e prokurorëve dhe stafit administrativ në funksionet shtesë në borde apo në komisione profesionale jashtë sistemit prokurorial, të parapara me legjislacionin në fuqi.

Dokumenti tregon kush është përfitues i kompensimit për funksionin shtesë.

“1. Prokurori i shtetit që emërohet/caktohet të shërbejë si anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës me orar jo të plotë ka të drejtën e kompensimit shtesë për këtë funksion në 20% të pagës bazë të Kryesuesit të KPK-së. 2. Prokurori i shtetit që emërohet/caktohet të shërbejë si anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës me orar të plotë ka të drejtën e kompensimit shtesë për këtë funksion në 20% të pagës bazë të Kryesuesit të KPK-së. 3. Anëtarët e Këshillit Prokurorial që vijnë nga radhët e shoqërisë civile, të Odës së Avokatëve dhe fakulteteve me orar jo të plotë kanë të drejtën e kompensimit shtesë për këtë funksion në 20% të pagës bazë të Kryesuesit të KPK-së”, thuhet në nenin 9 të Rregullores. “4. Prokurorët që emërohen si anëtarë të komisioneve të përhershme kompensohen 20% të pagës bazë të ZKA-së. 5. Kompensimi për funksionin shtesë do të paguhet vetëm një herë në muaj, me kusht pjesëmarrjen në mbledhje/takime. 6. Përfituesit e kësaj shtese kompensohen vetëm me një shtesë për muaj, pavarësisht angazhimeve që mund të kenë në trupat e tjerë”.

Por, në këtë dokument nuk tregon shumat konkrete të cilat i marrin anëtarët e KPK-së. Këtë nuk e kanë treguar as në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“Sa i përket shumës së pagës, të cilën e marrin anëtarët prokurorë të KPK-së, ju lutem që këtë kërkesë ta adresoni në Ministrinë e Financave/Thesar, pasi që të njëjtit posedojnë shumën e pagës që merr secila kategori e të punësuarve në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Njësisë për Komunikim Publik e Sekretariatit të KPK-së.

Lidhur me këtë, në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve nuk kanë kthyer përgjigje.

KOHA raportoi javën që shkoi se me vendim të KGJK-së, tre anëtarë të tij që nuk janë gjyqtarë përveç shtesës prej 20 për qind të pagës së kryesuesit, marrin edhe shtesa prej 1.565 eurove. Kjo shumë që e marrin është shtesë transitore, që në bazë të Ligjit për paga u njihet vetëm zyrtarëve publikë të cilëve u janë zvogëluar pagat. Në shoqërinë civile, vendimin e KGJK-së e vlerësuan të jashtëligjshëm.