Protesta e serbëve në Zubin Potok, për shkak të vendosjes së reciprocitetit të targave, çoi deri në djegien e Qendrës së Regjistrimit në këtë komunë.
Shkak i kësaj ngjarjeje, anëtarët e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve e kanë të pamundshme daljen në punë pasi zyrat e tyre ndodheshin në ambientet e kësaj qendre.
“Sa i përket funksionalizimit të KKZ-ve nëpër komunat e posaçërisht në Zubin- Potok kemi informacione se aktualisht ajo komunë nuk është funksionale, dhe do të na duhet t’i përdorim të gjithë mekanizmat që të ruhet funksionaliteti i zyrës. Raportet që veçse kanë ardhur sot që askush nuk është duke dalë në punë si KKZ në Zubtin-Potok”, tha Burim Ahmetaj, kryeshef i Sekretariatit të Komisionit Qendrore të Zgjedhjeve (KQZ).
Anëtari i KQZ-së nga radhët e LDK-së, Florian Dushi, tha se duhet bërë zgjidhja sa më e shpejtë e këtij problemi, derisa propozoi që të gjenden hapësira të tjera me qira në Zubin-Potok.
‘’Unë nuk di sa do të zgjasë kjo situatë atje, uroj që sa më shpejt të vihen në funksion rendi dhe ligji në atë pjesë, por megjithatë meqenëse jemi shumë afër zgjedhjeve konsideroj se si sekretariat duhet t’u krijojmë kushte KKZ në Zubin- Potok. Prandaj, konsideroj se është e drejtë nëse ne mendojmë që të gjejmë hapësira të tjera qoftë edhe përmes qirasë në të cilat ky komision apo trup zgjedhor komunal do të mund ta vazhdonte punën”, tha Dushi.
E Anëtari i KQZ-së nga PDK-ja, Arianit Elshani, kërkoi nga Sekretariati i këtij institucioni që të sanojë gjendjen e KKZ-së në Zubin-Potok sa më shpejt.
“Besoj që sekretariati sot edhe do të krijoj një pasqyrë më të qartë për të identifikuar se si është gjendja e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve dhe hapësirave që kanë pasur deri tash në përgatitje të zgjedhjeve lokale dhe pastaj të vihet me një rekomandim edhe në Këshillin për Operacione Zgjedhore në Këshillin për Buxhet kudo që është e nevojshme”, tha Elshani.
Përpos këtij diskutimi, në këtë mbledhje të KQZ-së u votua akreditimi i 4 mijë e 672 vëzhguesve politikë, si dhe të organizatave joqeveritare. OJQ-të ndërkombëtare e mediat kanë mundësi aplikimi deri më 2 tetor.